E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për faljet fut në sherr PD-në e PS-në

PS kërkon që drafti të diskutohet me praninë e OJF-ve dhe Presidentit. PD e kundërshton

TIRANË - Ende pa u futur në proces diskutimi në Komisionin e Ligjeve nisma e qeverisë për të bërë disa ndryshime në ligjin "Për faljet" ka futur në debat mazhorancën dhe opozitën.


Deputetët e djathtë dhe ata të majtë që janë pjesë e Komisionit të Ligjeve kanë debatuar jo pak rreth kësaj çështje, por jo për përmbajtjen e tij, por për procedurën e diskutimit që parashikohet të zhvillohet para kalimit të tij për votim në seancë. Shkak është bërë një ndërhyrje e deputetit socialist, Sajmir Tahiri, i cili në emër të kolegëve të tij të majtë ka bërë tre kërkesa para komisionit lidhur me shqyrtimin e këtij projektligji.


Kështu ai përveç shtyrjes së mbledhjes së komisionit për diskutimin e këtij projektligji për javën e ardhshme, ka kërkuar edhe që të thirren grupet e interesit si dhe të Ministria e Drejtësisë si nismëtare e këtij projektligji të paraqesë një informacion të plotë për raportin midis numrit të kërkesave dhe numrit të faljeve të dhëna nga kreu i shtetit. "Në komision mund të ftohen grupet e interesit, si dhe nëse është e mundur të na vihen në dispozicion disa statistika mbi faljet e kërkuara dhe faljet e miratuara nga Presidenti i Republikës", - tha Tahiri.


Ndërsa deputetja tjetër, Vasilika Hysi ka specifikuar edhe organizatat jo qeveritare apo edhe institucionet shtetërore që mund të bëhen pjesë e një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për këtë nismë, duke përmendur Avokatin e Popullit, Prokurorinë, zyrën juridike të Presidentit dhe organizatën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, si dhe Grupin Shqiptar të të Drejtave të Njeriut.


Ndërsa ka gjetur mirëkuptimin e mazhorancës për kërkesën e shtyrjes së seancës, opozita ka hasur në refuzimin e deputetëve të djathtë për dy kërkesat e tjera, atë grupeve të interesit dhe të dhënat statistikore për faljet.


Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, institucionet shtetërore të listuara në kërkesën e deputetëve të majtë janë njohur me projektligjin dhe nuk mund të ftohen sërish në komision, ndërsa për sa i përket OJF ai ka theksuar se komisioni nuk mund t'i thërrasë ato, por ai mund t'i pranojë t'i dëgjojë nëse ato do shprehin interes.


"Nëse kanë dëshirë le të paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në diskutime, nëse jo nuk mund t'i gjejmë ne me qiri... në fund të fundit për një histori që unë mendoj se është pa bukë. Komisioni i Ligjeve është i hapur dhe nëse ka ndonjë kërkesë ne jemi të gatshëm ta diskutojmë nëse jo ne s'kemi ç'bëjmë", - tha Alibeaj.


Megjithatë, kreu i komisionit për të gjetur një kompromis mes palëve ka pranuar që në komision të ftohen një sërë shoqatash jo qeveritare, përfshi këtu edhe Avokatin e Popullit, por nuk ka dhënë pëlqimin për thirrjen e zyrës juridike të kreut të shtetit. "Zyra e Presidentit të Republikës që merret me faljet nuk është person juridik më vete. Qe të ftonim ne pastaj presidentin, më duket se është pak e tepruar. Ta lemë me këtë kompromis që kemi arritur", - tha Rusmali.


Megjithatë edhe me këtë kompromis nuk kanë të gjithë deputetët e djathtë, pasi deputeti Fatos Hoxha ka kundërshtuar që në komision të thirret Komiteti Shqiptar i Helsinkit me argumentin se kjo OJF e ka përfaqësuesen e vet në Komisionin e Ligjeve, duke iu referuar pikërisht deputetes Vasilika Hysi.


"Shqetësim i imi është që në organizatat joqeveritare mos thërrasim ato organizata që në kundërshtim me ligjin që veprojnë, janë bërë palë me forcat politike dhe konkretisht organizata e Helsinkit është bërë palë në kundërshtim me të gjitha ligjet që veprojnë në vend", - tha Hoxha, ndërsa ka gjetur kundërshtimin e deputetes Vasilika Hysi, e cila ka pohuar se është larguar prej kësaj organizate në momentin që kandidoi për deputete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›