Madame Louise Bourgeois

U bë një nga gratë më të famshme në botë arti i të cilës ushqehej nga llahtaret fëminore.
Dy nga figurat më të spikatura në skulpturën e saj janë nëna merimangë dhe babai fallus
Ndërron jetë artistja e çuditshme që preku shekullin
Skulptorja franko-amerikane Louise Bourgeois vdiq të hënën, në Nju Jork, në moshën 98-vjeçare nga ataku kardiak. Në Venecia po përgatitej ndërkaq një ekspozitë për këtë figurë madhore të skenës artistike bashkëkohore.
Për Louise Bourgeois-ën, "jeta përputhej me artin e saj dhe ajo vazhdon të jetojë përmes veprës së saj", deklaron Alfredo Bianchini, sipërmarrësi i ekspozitës në Venecia që i bën homazh "energjisë së saj të madhe" dhe "aftësisë së saj krijuese". Të premten mendohet të hapet ekspozita me vepra të panjohura të artistes.
Titullohet "Louise Bourgeois. The Fabric Works" dhe ajo kishte marrë pjesë aktive deri pak ditë përpara.
Bourgeois u lind në Paris më 1911. Fillimisht e tërhiqte matematika, por studioi Arte të Bukura në Shkollën e Luvrit në atelietë e Bissière-së dhe Fernand Léger-it. U martua me historianin e artit amerikan Robert Goldwater, dhe prej vitit 1938 u vendos në Nju Jork.
"S'kisha për të mbijetuar në Francë, në kaosin e qelisë familjare", shkruante në fletoret e saj. Kaosi kishte tiparet e Sadie-t. Guvernantja e gjithëpushtetshme angleze, dashnore e një babai sa qejfli aq edhe mizor, qe një traumë për Louisen e re.
E kaloi fëmininë në Choisy-le-Roi ku prindët merreshin me restaurim tapicerish. Qysh 11 vjeç ajo i ndihmonte duke vizatuar motivet. Fija e përdorur për ndreqjen e tapicerive në mënyrë metaforike mund të krahasohet me linjën e vizatimit. Marie-Laure Bernadac në librin "Louise Bourgeois, La création contemporaine" thekson se vetvetiu vizatimet e saj të para lidhen me skena primitive të fëminisë, lindjes dhe amësisë.
Kështu pra, në Nju Jork ajo iu vu skulpturës për të vrarë mërzinë e ditëve të gjata që kalonte në shtëpi. Ishte nikoqire por edhe vazhdon të vizatojë dhe frekuentojë rrethin e surrealistëve në mërgim. Megjithatë një ndjenjë vetmie ia shponte zemrën. "Menjëherë sapo mbërrita këtu, pa e ditur, më kapi sëmundja e shtëpisë. Ishte një dhimbje e nëndheshme, e pavetëdijshme.
Dhe, pa e ditur përse, iu vura punës për të krijuar prani. Isha në çatinë e shtëpisë ku nuk shkonte kurrë njeri sepse ishte me rrezik, dhe rikrijova të gjithë njerëzit që kisha lënë në Francë. Ishin përzier me njëri-tjetrin; ishin të gjithë ata që kurrë nuk kisha për ta pranuar se do më mungonin. Por e vërteta ishte që ua ndjeja mungesën me dëshpërim", i rrëfehet ajo Camille Guichard-it, e cila më 1993 realizoi të parin film kushtuar artistes.
Ajo ndërtoi një krijimtari autobiografike të çuditshme dhe të dhunshme, ndërmjet ekspresionizmit abstrakt dhe figuracionit të pavetëdijes. E vlerësuar fillimisht në një rreth të ngushtë, e keqkuptuar nga evropianët për një kohë të gjatë, ajo do të shihej ndryshe nga brezi më i ri i artistëve, të shtangur nga skulpturat e saj minimaliste apo gjigante, konceptuale dhe tmerrësisht shprehëse, përherë të ngarkuara me simbole.
"Duhej që ankthin ta ushtroja mbi format që mund të ndryshoja, shkatërroja dhe rindërtoja", shpjegon ajo.
Pas personazheve të saj të gjatë prej druri në trajtë totemi, në vitet '40, skulptorja realizon vepra monumentale, trupa pa kokë, organe mashkullorë hiperealist, kukulla prej lecke të përqafuara si të gjalla. Por më të famshme do të ishin merimangat prej çeliku dhe mermeri, që i referoheshin nënës së artistes e cila njëlloj si kafshëza, thurte.
Arti i saj ushqehej sidomos nga llahtaret fëminore dhe seksualiteti.
Dy nga figurat më të spikatura tek ky art janë nëna merimangë dhe babai fallus ("vogëlushe" e pagëzoi krijuesja e tij më vonë). Më 1974 realizoi "Shkatërrimi i babait" (The Destruction of the Father), skenë primitive, thuajse kanibale, ndërmjet shpellës dhe gojës gjigante.
Louise Bourgeois u bë një nga gratë më të famshme në botë, e para artiste që ekspozoi më 1982 në Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, prezantim që çimentoi veprën e saj.
Dhe fare vonë, në vitin 1991, u nderua nga vendlindja me Grand Prix National për skulpturën, dhe iu kushtuan dy retrospektiva më 1995 dhe 2008.
Është e largët koha kur galeristi gjerman Karsten Greve duhej të lutej për të vënë në dukje talentin e Louise-ës. "Nuk kam shitur pothuajse asgjë gjatë pesë ekspozitave të para në vitet '80. Evropianët nuk e kuptonin botën e saj mes ekspresionizmit abstrakt dhe figuracionit të pavetëdijes.
Nuk ishte e shtrenjtë por ishte e pamundur të shisje!" Një "Merimangë" që më 1995 shitej 200 000 $ tani zor se e gjen pa 5-7 milionë $. "Qelizat" që dikur shiteshin 250000 $, sot vlejnë afro 2 milionë $... Vizatimet gjithashtu po rriten.
Vitin e kaluar Guggenheim i Nju Jorkut i kushtoi një homazh veprës së saj duke theksuar forcën mashkullore dhe luftarake të kësaj vajze të vogël plakë që e deshi me një dashuri xheloze babain tradhtar dhe ia mësyu me një armatë metaforash në veprat e saj prej Edipi mizor.