Grabitet me armë e maska “Mercator”, klientët: Autori u arratis me shapka
Grabitet me armë, për të tretën herë brenda pak muajsh, supermarketi “Mercator”, i ndodhur në rrugën "Komuna e Parisit". Vjedhja e dhunshme është regjistruar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, kur dy persona të maskuar dhe të armatosur me pistoleta kanë hyrë në ambientet e brendshme të supermarketit. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë detyruar punonjësit e arkës t'u japin sasinë e parave që gjendeshin aty. Pas disa kundërshtimesh nga ana e punonjësve, këta të fundit, të frikësuar nga kërcënimi i armëve, kanë zbrazur arkën dhe u kanë dhënë grabitësve të gjitha paratë e xhiros ditore. Sipas verifikimeve të para të policisë në supermarketin e grabitur, rezulton se shuma kap shifrën e 150 mijë lekëve të reja.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, grabitësit janë larguar me shpejtësi, duke përfituar nga errësira dhe kanë humbur gjurmët. Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur aty dhe kanë nisur mbledhjen e provave dhe të dëshmive për dokumentimin e plotë të grabitjes. Nga marrja në pyetje e punonjësve dhe e klientëve që ishin të pranishëm në vendngjarje, rezulton se dy grabitësit ishin të maskuar dhe të armatosur me pistoletë. Askush prej të pranishmëve nuk ka mundur të identifikojë ndonjërin prej tyre. Pas këtyre dëshmive, ekspertët e komisariatit nr. 2 kontrolluan kamerat e sigurisë, që ndodhen brenda marketit, por dhe pas kontrollit të tyre nuk është bërë e mundur gjetja e të dhënave që mund të çonin në identifikimin e autorëve. Një prej dëshmitarëve tregon për “MAPO” se grabitësit janë larguar në këmbë, në drejtim të kompleksit “Dinamo”, pas grabitjes së suksesshme. Madje, ai shton se njëri prej tyre ishte i veshur me pantallona të shkurtra dhe me shapka. Nga ana e tyre, ekspertët e Policisë së Tiranës janë duke vijuar punën për të dokumentuar këtë ngjarje dhe për të identifikuar autorët e mundshëm. Supermarketi “Mercatori” është shndërruar kohët e fundit në një prej objektivëve kryesorë të grabitësve, pasi brenda një kohe të shkurtër, ky supermarket është grabitur për të tretën herë. Pak muaj më parë ishte menaxheri i kësaj pike, i cili pasi hapi kasafortën, mori prej andej një shumë të konsiderueshme parash dhe u largua, por u kap vetëm pak kohë më pas. Ndërsa vetëm pak javë më parë, sërish dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën filialin e ”Mercatorit” në rrugën 'Komuna e Parisit". Policia e Tiranës nuk përjashton dyshimet se ky supermarket është grabitur nga të njëjtët persona, si edhe herën e shkuar, por hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin grabitësit e armatosur.