E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr e tym në spitalin e djegieve, evakuohen pacientët

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 20-07-2011 12:09

Tiranë Djegia e një kablloje ka vënë në alarm repartin e djegieve në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke evakuuar pacientët e sëmurë. Flakët e zjarrit janë parë rreth orës 17:00 të ditës së djeshme në Spitalin e djegieve plastike, i cili është në rikonstruksion e sipër. Tymi u përhap me shpejtësi në ambientet e brendshme të spitalit, duke shkaktuar panik te të sëmurët që vuanin nga plagë të djegieve dhe stafi mjekësor. Menjëherë pak konstatimit të situatës, personeli mjekësor dhe ai i sigurisë janë vënë në alarm duke nxjerrë nga dhomat pacientët dhe duke i vendosur ata në një vend më të sigurt. E menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e forcave zjarrfikëse, të cilat brenda pak minutash kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë konstatuar se tymi kishte ardhur nga djegia e një kablloje që përcillte energjinë elektrike. Nga ana e tyre forcat zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e vatrës së zjarrit dhe kthimin e situatës në normalitet. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se kablloja, e cila ndodhet në pjesën e pasme të ndërtesës, është shkrirë nga nxehtësia e tepërt dhe kjo gjë ka sjellë më pas djegien e saj dhe përhapjen e tymit në të gjitha katet e godinës. Një prej dëshmitarëve okularë, i cili ishte i pranishëm brenda godinës në momentin e zjarrit, rrëfen për MAPO-n ato momente. “Isha duke ngjitur shkallët për të shkuar te një i afërmi im, që është i shtruar këtu. Sapo kalova katin e parë, ndjeva një erë të fortë djegieje dhe vetëm pak çaste më pas, pashë tymin që po përhapej me shpejtësi. Menjëherë erdhën mjekët dhe rojet e sigurisë, të cilët të alarmuar nga kjo situatë vendosën në vend të sigurt pacientët dhe pritën deri në ardhjen e zjarrfikëseve për të shuar zjarrin”, - tregon ai. Dëshmitari pohon se ishte fat që bëhej fjalë vetëm për një shkëndijë dhe jo një vatër të vërtetë, që mund të sillte pasoja te pacientët e këtij spitali. “Është pak absurde kur dëgjon që në repartin e djegieve bie zjarr. Megjithatë, janë gjëra që ndodhin dhe që fatmirësisht u mbyllën brenda një kohe të shkurtër pa dëme” – shprehet një pacient në vendngjarje. Një prej punonjësve të sigurisë së spitalit “Nënë Tereza” tregon se në momentin e parë ata u alarmuan, pasi tymi ishte shumë i dendur dhe nuk dihej se nga vinte. “Unë nuk isha këtu në momentin kur ra zjarri, por më njoftuan në radio të vija menjëherë. Sapo mbërrita, hyra menjëherë në godinë dhe pashë që tymi ishte shpërndarë në të gjithë spitalin. Menjëherë, bashkë me mjekët nisëm të siguronim pacientët në vende të sigurta, pasi ende nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Pasi erdhi zjarrfikësja dhe konstatoi se nga kishte ardhur zjarri, situata u normalizua dhe gjithçka vijon normalisht” – tregon efektivi i sigurisë pranë këtij spital. Nga ana tjetër, pas largimit të tymit, gjendja në pavijonin e djegieve shkoi drejt normalitetit, ku pacientët u kthyen në dhomat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›