E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e Muzeut të Olimpias, të dyshuarit shqiptarë

ATHINE - Gjatë hetimeve për grabitjen e antikave me vlerë në muzeun e Olimipas para disa ditësh, policia greke ka vënë në rrethin e të dyshuarve një shqiptar dhe dy persona të tjerë bashkëpunëtorë të tij.

Sipas të dhënave që kanë dalë në dritë, karakteristikat e autorëve, duket se përputhen me ato të personave, që më parë kishin kryer katër grabitje në dyqane bizhuterish.

Në veçanti, autoritetet kanë vënë në mikroskopin e hetimeve, disa shqiptarë që në të kaluarën janë përmendur për vepra të ndryshme.

Për këtë kanë ndihmuar shenjat e gishtërinjve të gjetura në objektet, pas grabitjes me armë në Muzeun e Historisë së Lojërave Olimpike.

Prokurorët kanë arritur në përfundimin se nuk bëhet fjalë për grabitës me përvojë në fushën e objekteve antike, që e njihnin atë që rrëmbyen nga sallat e muzeut.

Hetuesit kanë dalë në përfundimin se grabitja është bërë nga dy persona, ndërsa i treti i priste diku jashte me makinë. 

Ngjarja, 17 Shkurt 2012

Grabitje me armë ka ndodhur sot në mëngjes herët, në muzeun e vjetër të Olimpias nga dy persona, të cilët morrën prej andej rreth 65 objekte me vlerë të pacmueshme, ngjarje që shkaktoi edhe dorëheqjen e ministrit të Kulturës, Pavlos Gerulanos.

Grabitësit vunë në shënjestër sot në mëngjes në ora 7:30 një nga muzeumet më të mëdha dhe më të pasura në vend, Muzeun e Olimpias Antike.

Pas kontrollit të parë u konstatuan më shumë se 60 antika të zhdukura me një vlerë të pallogaritshme.

Sipas raporteve, të dy grabitësit e maskuar, që nuk flisnin mirë greqisht, kanë lidhur rojen e natës dhe kanë marrë antikat me vlerë, bizhuteri ari, monedha të vjetra, statuja e objekte të tjera. Grabitësit duket se kishin ngritur kurth, sepse vjedhja u bë në ndryshimin e turnit të rojeve, pikërisht kur fiket edhe sistemi i alarmit.

I madh është mobilizimi i policisë për zbulimin e autorëve të kësaj ngjarje, që tashmë është bërë e ditur në të gjithë botën.

Vetëm pak muaj më parë në Galerinë kombëtare të Athinës, grabitësit zhdukën 3 vepra me vlerë, një nga të cilat “Kokë gruaje” e Picassos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›