E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja nga uniformat blu, SHKB dyshime për mitmarrje

Oficerët e SHKB-së kanë kërkuar prej denoncuesve të tregonin itinerarin e lëvizjeve të tyre. Verifikimet, kanë të bëjnë me dyshimet nëse grabitja është ndonjë mënyrë për të maskuar "humbjen" e parave prej tyre. 

TIRANE - Dy të rinjtë që denoncuan të ishin grabitur nga dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Policisë, dyshohet se paratë ua kanë dhënë vetë për t'i shpëtuar prangosjes. Verifikimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për ngjarjen e mëngjesit të së shtunës, duket se kanë ndryshuar drejtimin e hetimit. Sipas burimeve që i referohet sot  "Gazeta Shqiptare" dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme dyshohen për veprat penale të korruptimit, shkeljes së betimit dhe mitmarrjes. Dy të rinjtë denoncuan të shtunën, se dy punonjës policie me uniformë dhe që lëviznin me një automjet tip "Polo", u kishin grabitur rreth 420 euro. Të rinjtë ishin nisur drejt Korçës, por në sheshin pas stadiumit "Qemal Stafa", ku pritnin furgonat e linjës, ishin pikasur nga dy policët. Sipas tyre, policët i kishin thirrur për një sqarim dhe më pas u kishin marrë paratë. Pas sinjalizimit të sallës operative, oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë kërkuar të merreshin fill me hetimin e ngjarjes. Dy të rinjtë janë marrë në pyetje nga oficerët e SHKB-së, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dhe janë lënë pasi u janë marrë deklarimet me shkrim. Hetuesit e SHKB-së kanë verifikuar të gjithë punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, të cilët ishin në detyrë në momentin kur ndodhi ngjarja. Gjithashtu, janë verifikuar dhe vërtetuar vendet ku ndodheshin shërbimet në atë moment. Burime pranë SHKB-së, konfirmojnë se nuk është identifikuar asnjë prej punonjësve të policisë që ishin në detyrë si autorë të ngjarjes. Gjithashtu, edhe ballafaqimet dhe krahasimi i përshkrimeve nuk ka sjellë ndonjë të re për hetimin.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›