E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje me armë në pikën e basteve te “Komuna e Parisit”

Një grabitje me armë nga persona të maskuar është shënuar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së kaluar në zonën e njohur me emrin ‘Komuna e Parisit’. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy persona të maskuar kanë hyrë në një pikë bastesh sportive dhe kanë arritur që përmes kërcënimit të armëve të marrin prej aty një shumë të konsiderueshme parash. Forcat e policisë, përkatësisht të komisariatit numër 1 dhe 2, kanë mbërritur mbrëmë menjëherë në vendngjarje, duke bërë edhe rrethimin e zonës, por mësohet se ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve të kësaj ngjarjeje. Ndërkaq efektivët e policisë dhe grupi hetimor kanë marrë në pyetje punonjës të pikës së basteve sportive si dhe dëshmitarë të tjerë okulare dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Dje burime nga policia e Tiranës thanë se dy personat që kanë kryer grabitjen e fundit te “Komuna e Parisit” dyshohet se janë të njëjtët që kanë kryer dhe tre grabitje të ngjashme në dy muajt e fundit në disa zona të ndryshme të Tiranës. Paraprakisht mësohet se shuma e grabitur e kalon shifrën e 300 mijë lekëve të reja , ndërsa kjo shumë ishte totali i pareve të mbledhura nga pika e basteve sportive pasditen e së shtunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›