E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i heroinës, turku Vehbi Alioglu përdorte pastiçerinë në Tiranë si bazë droge

SHKRUAN: Habjon Hasani 26-09-2011 12:58

Shtetasi turk Vehbi Alioglu, i arrestuar dy ditë më parë së bashku me dy shqiptarë, duket se është një ndër distributorët kryesorë të heroinës në Shqipëri. Burime nga sektori i antidrogës në policinë e Tiranës kanë konfirmuar dje faktin se Alioglu ndodhej në Shqipëri prej pesë vitesh dhe të gjithë aktivitetin e tij e maskonte duke u hequr si pastiçier. “Shtetasi turk Vehbi Alioglu ka rreth pesë vite që ushtron aktivitet biznesi në Tiranë. Ai është pronar i një pastiçerie dhe nga hetimet tona rezulton se pastiçeria ka qenë pikërisht kopertura e aktivitetit të tij të vërtetë. Shumicën e furnizimeve për aktivitetin e tij ai e merrte nga Turqia dhe ne dyshojmë se pikërisht në transportimin e lëndëve të para për pastiçerinë prej vitesh është maskuar dhe transporti i drogës”, shprehen burime nga policia e Tiranës. Hetimet e shtetasit turk zbuluan se për disa vite me radhë ai ka qenë një ndër porositësit kryesorë të heroinës në Turqi dhe një ndër distributorët me shumicë më të rëndësishëm që operojnë në kryeqytet. Nga ana tjetër 41-vjeçari shqiptar Abdullah Kili, i arrestuar si bashkëpunëtor dhe ortak i turkut, përpara gjashtë vitesh është kapur në flagrancë me 27 kilogramë heroinë, por një vit më parë ai u la i lirë nga gjykata. Turku Vehbi Alioglu ka qenë tre vite më parë objekt i punës dhe hetimeve të policisë për një çështje që nuk lidhej me trafikun e drogës. Burime policore konfirmuan se tre vite më parë turku është marrë peng nga disa shqiptarë në formë presioni pas një fejese nga ana e tij me një vajzë shqiptare. “Nga hetimet që kemi kryer asokohe rezultoi se Vehbi Alioglu ishte fejuar me vajzën e një prefekti dhe atë e morën peng dhe e keqtrajtuan të afërmit e vajzës, pasi turku deklaroi ndarjen prej saj”, - u shprehën burimet policore. Vetëm vitin e fundit turku është hetuar si i dyshuar në përfshirjen e tregut të drogës në vend, pasi ishte parë shpesh në shoqërinë e shqiptarit Abdulla Kili, i cili sapo kishte dalë nga burgu pasi u kap me 27 kilogramë heroinë në vitin 2007. Survejimi i shtetasit turk dhe shqiptarit Kili dhe të dhënat e mbledhura në rrugë operative bindën ekspertët e antidrogës se të dy këta shtetas drejtonin një linjë të trafikimit të heroinës drejt Italisë dhe Greqisë. Në përfundim të operacionit të organizuar nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar, është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë prej 3.5 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se operacioni është organizuar tri ditë më parë, paralelisht në qytetin e Korçës dhe Tiranë, ku është kryer arrestimi i shtetasit turk Vebi Alioglu, 37 vjeç, me banim të përkohshëm në kryeqytet dhe dy bashkëpunëtorëve të tij Edmond Gërxhani, 38 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve; dhe Abdulla Kili, 41 vjeç, me banim në kryeqytet. Sipas policisë, operacioni ka nisur rreth orës 16:40 të së premtes, në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticë, kur është bërë i mundur ndalimi i 38-vjeçarit Edmond Gërxhani. Arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të bagazheve iu gjet e sekuestrua një sasi prej rreth 2 kg e 392.4 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Më pas policia ushtroi kontroll edhe në banesën e tij në kryeqytet, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, tip “Zastava”, të cilën i dyshuari e mbante pa leje. Paralelisht me ndalimin e kryer nga policia kufitare e Korçës, antidroga e kryeqyteti ka mundur të arrestojë dy persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtorë të Gërxhanit. “Në vijim të operacionit, strukturat e Policisë së Shtetit bënë të mundur kapjen në një banesë në Tiranë të shtetasve Abdulla Kili dhe Vehbi Alioglu, të cilëve gjatë kontrollit të ushtruar iu gjet e sekuestrua një sasi prej rreth 1 kg e 38 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë”- tha dje Policia e Shtetit. Sipas hetimeve, rezulton se sasia prej 3.5 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë është në pronësi të tre shtetasve. Dy shqiptarët dyshohet se janë pjesë e rrjetit që tashmë ndjek linjën e njohur të trafikut të heroinës Turqi-Shqipëri, por gjithçka do të zbardhet nga hetimi i mëtejshëm. Mësohet se dosja hetimore ndaj tre të arrestuarve tashmë është marrë nga Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohet se shtetasi turk në bashkëpunim me dy shtetasit shqiptarë mund të jenë pjesë e një linje ndërkombëtare të narkotrafikut.

Të arrestuar

Edmond Gërxhani, 38 vjeç

Abdulla Kili, 41, vjeç

Vebi Alioglu, 37 vjeç, shtetas turk

Të sekuestruara

3 kg e 430 gram heroinë

1 armë pistoletë tip “Zastava”

4 telefona celularë

Një automjet me targë TR 9417 K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›