E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet, Paro Laçi: Do ia çoj lekët ministrit të mbështjella në gazetë

Zbardhet biseda mes Paro Laçit dhe Radvist Dimës “Visi” ku diskutonin për dhënien e lekëve ministrit të ekonomisë

Zbardhen të tjera biseda të biznesmenit Paro Laçi, i cili ka negociuar dhe premtuar dhënien e ryshfetit ministrit të Ekonomisë për një leje minerare. Ndërsa bashkëbiseduesi i Paro Laçit është “Visi” nga Italia, të dy komentojnë vonesat e shkaktuara në takimin e parë mes Laçit dhe ministrit, si pasojë e mosbesimit që kishin miqtë e “Visit” në Tiranë ndaj Paro Laçit. Më tej biseda merr tone groteske, ku të dy diskutojnë mundësinë për t’ia dhënë paret të mbështjella në gazetë ministrit gjatë një takimi të një ndeshjeje futbolli në stadium. Pas evidentimit të rastit të parë, prokuroria ka vijuar hetimet ndaj Paro Laçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët këtë radhë kanë tentuar të përfitojnë një leje minerare duke ushtruar ndikim të paligjshëm tek autoritetet respektive. “Nga hetimet ka rezultuar se Paro Laçi, nëpërmjet të pandehurit Radvist Dima, ka njohur të pandehurin Altin Xhura, ku të dyve u ka propozuar që të hapnin një biznes në fushën e kromit në Bulqizë, pasi të kishin gjetur një subjekt me dokumentacion të rregullt në Bulqizë. Gjatë procedurave të përgatitjes së dokumentacionit ligjor, kanë takuar një shtetas me emrin M. Sinani, i cili dispononte dokumentacion të rregullt ligjor në fushën e mineraleve, ku ky i fundit ka rënë dakord që të bashkëpunonte duke hyrë aksioner në masën 25%”- thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas hetimit, pas kësaj marrëveshjeje, i pandehuri Laçi ka kërkuar nga dy të pandehurit të siguronin një shumë parash prej 75 mijë euro, për nxjerrjen e lejes, pasi duheshin për të paguar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. “Me datë 18 mars të këtij viti, rreth orës 11.00, i pandehuri Altin Xhura, pasi ka siguruar shumën prej 31 000 mijë euro, ka ardhur dhe shtetasi Endri Dima, i dërguar nga Radvist Dima për të marrë këtë shumë dhe së bashku me një shumë prej 9 000 eurosh të siguruara nga ai, që do t’ia jepnin të pandehurit Paro Laçi, i cili kishte premtuar se ishte në gjendje të ndikonte te ministri dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për marrjen e lejes së shfrytëzimit minerar”- thuhet në kërkesën për gjykim.

Biseda 1:

Datë 18.03.2011, 21:53:12: Paro 900 me Visin +3938….

Visi Nr. Italie: ......Altini, e di ça po më thoshte tani?

PARO: Hë.

Visi Nr. Italie: Më mori në telefon para 5 minutash, edhe tha sikur nuk është mirë me ia dhonë tani në darkë, nuk më pëlqen, tërri vërri...

PARO: Po ai ka dal sot, or ti, ne po na pret, ai nuk më merr mu, se ka njëmijë punë. Rreth orës 8 pa pak, më tha, unë tha, tashi po dal për atje, tha. Mori vetë në telefon, tha, po dal në zyrë, më tha. Mirë shef i thash, do të bëj mesazh vetë, do të marr vetë në telefon, i thash. Dhe u çova. U çova, dola, erdha këtu vërdall, kam marrë nja 2-3 vetë s'kam dash me i thonë, bile Goni më tha për me i thonë një çunit të hallës, që me i thonë për 10 ditë. Me i shpjegu, i du për këtë gjo, e kam ortakun larg, e për 10 ditë kur të vij ai t’i bi. Ja marr një 10-tëshe, si thash hiç, ma mirë mos me i thonë... S’e di or Vis, une jam bo akull nga truni...

Visi Nr. Italie: ......

PARO: ..........

Visi Nr. Italie: Po sikur ta konsumoje me Altinin këtë muhabet, kur të ishe në stadium, t'ia bëje me një gazetë.

PARO: Po s’e di or burrë...

Visi Nr. Italie: Para se të shkojë ke makina, jepja aty ti, edhe thuj, na Altin, vrafsh veten, a e pe çfarë bona.

PARO: Po s’e di, dhe në stadium e kam të sikletshme...

Visi Nr. Italie: Po mirë, kur të hypë në makinë.

PARO: Bo vaki, para se të hypte në makinë, t’ia plassha mren.

Visi Nr. Italie: Po, dhe ikën. Nuk e di dhe unë çfarë zgjidhje...

PARO: Këto janë gjona si të çuditshme, or burrë, s’i ka parë ndonjë herë e ne i dukemi si ufo...

Visi Nr. Italie: Po çfarë të them unë. Gjej një mënyrë që ta zbusim atë, ta kuptojë se si duhet kry.

PARO: Po s’e di, s’e kam idenë. Thuj si të dush. Goni bile i tha, hyni deri...Goni hyni deri aq thellë sa që tha - shko or ti, tha, shko kry punë me burrin e huj, tha, po del keq me të, ta kam borxhin unë. S’ka njeri që të merr lekt nga këta të mëdhenjtë, a kupton, e s'kry punën, nuk ka bo vaki në historinë e njerëzimit- ...

Visi Nr. Italie: ... Merre tani në telefon Altinin, bëni një plan si do ta bëni...

PARO: O Visi, tashi, me më dëgju mu, nuk e di, do shkoj nesër në stadium, nuk e di sesi do ta le me të... nuk e di si do ta tejkaloj situatën, se ai pret dhe 6 muaj, neve nuk na pret puna. Ishalla nuk ia jep rradakja nuk na e jep fare. 3-pikëshin nuk ia dhashë. Tu i lujt nga fjala përditë, ai më di për rob që nuk del nga fjala për atë Zot... Unë mendoj kështu. Më mirë, kur të vish ti, ndaç thuja ti Altinit, ndaç unë, kur të vish ti, merr ata miqtë e tuj që i ke atje, bullgarët, 25% atyne bullgarëve, edhe mirupafshim o dajë.

Visi Nr. Italie: Po në rregull. Bëja këtë muhabet Altinit...

Biseda 2

Datë 18.03.2011, 22:24:18: Paro 900 me Visin +3938…….:

PARO: Ej?

Visi Nr. Italie: Hë.

PARO: Veç se nuk qaj dot. E di si jam bo? Me më pre, pikë gjaku nuk me del. Shkum atje, e mora ne telefon, s’kam as 10 minuta që kam lëviz. Iu mbush mendja këtij, ky dreq sikur shti fall mor burrë, iu mbush mendja këtij, po normal që me iu mbush mendja në 11 të notës. A më dëgjon?

Visi Nr. Italie: Alo?

PARO: Hë, a me dëgjon tani?

Visi Nr. Italie: Po, të dëgjoj.

PARO: Kur iu mbush mendja këtij, shkum ne aty, kishte lëviz.

Visi Nr. Italie: A ba ba ba...

PARO: U çmenda fare. E mora në telefon, më tha që s’i ka as 10 minuta, që kam lëviz... 2 orë, shkojmë, s'shkojmë...

Visi Nr. Italie: Të më kishe thonë ta kishim diskutu...

PARO: Më çmendi ore Visi...

Visi Nr. Italie: Unë e shikoj si shansin e fundit unë nesër atje, ti Paro.

PARO: O Visi, në 8 pa 3 minuta më kishte marrë në telefon.

Visi Nr. Italie: Po e di unë, ti më the 7 me 8 kishte lënë takim.

PARO: Po, në 8 fiks merr në telefon. Shkojmë ne, rrimë e flasim, deri në 9 e 30. I bëjmë të gjitha 500-ndëshe, kalojmë 9 e gjys me vëllain tat, ishte aty. E pyetëm policin a ka lëviz, jo, jo tha, këtu tha. Prap dhe 1 orë ne, deri në 10 e ca aty ke Tajvani, Gërr-vërr dërr-mërr, O Vis, thuaja ti vetë atij, që të kemi bashkëpunim, shansi fundit, pa besu nuk bohet asigjo... S’di ça me të thonë, jam bo mo, kurrë ma keq në jetë kurrë nuk kam qenë...

Visi Nr. Italie: ...Po ky Altini çfarë pati në këtë moment, une s’e marr vesht.

PARO: S’e di pra. Thuja atij, çfarë ke, leja vëllait tim, vëllait tim t’i jap paret, se kam unë përgjegjësi, s’ke punë hiç thuaj.

Visi Nr. Italie: Dakord, ashtu jam tu i thonë.

PARO: Kështu thuj, leja atij Enit, Eni t’i japi paret, se e kam unë përgjegjësinë, thuj, të bëhet ça të bëhet, thuj... e di una...

Visi Nr. Italie: Jam tu e marrë unë përgjegjësinë.

PARO: Tashi, nuk e kam idenë mor Vis, a m’i pranon nesër atje, mor burrë, është skëterrë atje, është stadiumi plot.

Visi Nr. Italie: Jo, e vetmja mundësi, në gazetë, merre shikoje këtë jepi gazetën.

PARO: ... Po duhet të kisha fol njëherë përpara or burrë, si i jep gazetën, merr lexo gazetën, e ma hedh gazetën turive, or burrë. Po u afrova me bisedu me të, me i thonë o shef i kam gati, kështu, kështu, si mendon ti? Po ma dha variantin vetë, mirë, po më tha ik or Paro se unë kam halle tjera për rrugë e kam njëmijë probleme tjera, unë me qenë në vend të atij them ik ore këput qafën i herë. Kam zyrë, hajde ke zyra flasim atje.

Visi Nr. Italie: Po, jo ore, shiko, nuk pata mundësinë mbrëmë, thuj, se pata një problem, kisha nipçen sëmurë, thuj... Dëgjo, më dëgjo një sekond mu. Pata një problem shumë ashtu, thuj, dhe erdha me vonesë gati një orë e gjysëm, dy orë. Tani, të lutem thuaj, për kët muhabet kam arrit të bëj vetëm një pjesë. Më beso, thuj, nuk kam pasur mundësi për më tepër dhe prandaj jam vonuar, por them që e kam obligim jete të ta kryej detyrën deri në fund, të lutem ma prano këtë dhe ma kryej atë. Kaq. Edhe gazetën në dorë.

PARO: Mirë, pra, ta shofim ishalla. Fol dhe njëherë ti më vonë me atë, e të vij të m’i bi Eni vetë në mëngjes ke shpia, e të nisem unë drejt andej.

Visi Nr. Italie: Ok, pra.

PARO: Po nisem me Enin, a, po nisem me Gonin, nuk e di çfarë do bëj.

Visi Nr. Italie: Merre mor me vete, mutin.

PARO: Po bën vaki dhe me vete e marr, or burrë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›