Grabitje me pistoletë lodër te sheshi “Skënderbej, adoleshentët u marrin paratë 2 personave

Dy qytetarë ranë pre e një grabitje nga dy adoleshentë mbrëmjen e kaluar në qendër të Tiranës, të cilët me një armë lodër u morrin paratë përmes kërcënimit.
Policia e Tiranës arriti që të arrestonte njërin prej adoleshentëve ndërsa shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tij, po adoleshent.
Sipas policisë, ngjarja u shënua rreth orës 03:20, kur dy të rinjtë u morën paratë dhe sendet personale që ata kishin e më pas u larguan.
Fill pas njoftimit të Policisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u kap njëri prej autorëve të dyshuar, ndërsa vijon puna për kapjen e një 17-vjeçari tjetër.
Policia tha se, dy të miturit janë autorë të dyshuar edhe të vjedhjes së një shume parash, në një farmaci në rrugën “Asim Zeneli”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave, e dyshuar e vjedhur, pistoleta imituese, dhe biçikleta të cilën autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes.
Sheshi “Skënderbej” prej ditësh është kthyer në vendin më të frekuentuar këto ditë, me krijimin e atmosferës së festave të fundvitit.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/