E Martë, 3 Nëntor 2026

Marrëveshja me Shqipërinë, Britania e Madhe: Numri emigrantëve të kthyer po rritet ndjeshëm

Sekretari i Lartë i Shtetit për Strehimin dhe Komunitetet në Britaninë e Madhe e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëveshjen me Shqipërinë për riatdhesimin e migrantëve. Në një intervistë për televizionin britanik “Skai” Majkëll Gov u shpreh se marrëveshja e vitit të kaluar me qeverinë shqiptare ka pasur sukses.

“Ne kemi parë që numri i personave të kthyer në Shqipëri po rritet ndjeshëm”, u shpreh ai.

I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme nëse projektligji për marrëveshjen me Ruandën nuk kalon në Dhomën e Deputetëve, Gov tha se Qeveria nuk po e mendon këtë opsion, duke u shprehur i sigurt se do të miratohet.

Sekretari i Lartë britanik theksoi se projektligji është i ashpër dhe i fortë. Në lidhje me migrimin neto, që arriti shifrat rekord prej 745 mijë personash gjatë vitit 2022, Gov u shpreh se numri është më i lartë se sa do të dëshironin. Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar mund të ndërmarrë hapat e duhur lidhur me këtë çështje vetëm sepse është jashtë Bashkimit Evropian.

“Migracioni i ligjshëm duhet të ulet dhe kjo është arsyeja pse qeveria po kufizon edhe numrin e profesionistëve, që mund të vijnë në në vendin tonë”, – u shpreh ai. Më herët ministri britanik për Migracionin Robert Xhenrik dha dorëheqjen nga detyra për shkak të të ashtuquajturit “projektligji i Ruandës”.

Ky projektligj do t’i mundësojë Mbretërisë së Bashkuar të dërgojë migrantët e paligjshëm në këtë shtet.

/rtsh.al/

Gazetare: Vjollca Zharri 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›