E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabovci: Mund të bashkëqeverisim edhe me Vetëvendosjen!

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci nuk e ka përjashtaur mundësinë e bashkëpunimit edhe me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe në ato nacionale të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm, mirëpo me kushtin që kjo parti të korrigjohet.

“Nuk e përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje!, por Vetëvendosje! ka nevojë të korrigjohet në mendime dhe veprime. Kjo lëvizje duhet të jetë sa më e arsyeshme në mënyrë që t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Grabovci ka shprehur optimizëm se PDK-ja do të vazhdojë të jetë partia e parë në Kosovë. “Qysh tani mund të them se PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ka deklaruar Grabovci.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka thënë se PDK-ja në këto zgjedhje do ta kërkojë votën edhe në veri të Kosovës. “Pa asnjë dyshim PDK-ja do ta kërkojë votën e qytetarëve edhe në veri. PDK-së, për aq sa i është lejuar, gjithmonë ka qenë në veri. Veriu për PDK-në gjithmonë ka qenë dhe është pjesë e territorit të Kosovës”, ka deklaruar Grabovci. Në këtë kontekst, Grabovci ka përjashtuar çfarëdo mundësie që fletëvotimet në veri për zgjedhjet lokale të jenë pa logo të Republikës së Kosovës. “Për PDK-në është me rëndësi që fletëvotimet të jenë të njëjta si në veri dhe në jug të Kosovës. Nuk guxojmë të krijojmë privilegje për një pjesë të territorit. Në këtë kontekst, të gjithë duhet të angazhohemi që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë”, ka thënë Grabovci. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›