Gracka e gjakmarrjes

Jashtë rrethojës së shtëpisë së familjes Neziri, në këtë fshat të Kosovës, nuk ka shenja jete, madje as tingëllim që tregon se 45 të afërm, prej tyre shtatë fëmijë, qëndrojnë të fshehur brenda, me frikë nga ndonjë sulm hakmarrës.
Sytë e Haki Nezirit (77), më i vjetri i bashkësisë, lëvizin shpejt në të dy anët, kur del jashtë dhe pranon brenda gazetarët.
"Familja ime nuk guxon të dalë jashtë tash e 17 muaj. Gratë e burrat nuk mund të dalin për të punuar në ara. Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë," thotë i mërzitur ai.
Neziri ka frikë se ndonjë prej tyre mund “të vritet për nder” për hakmarrje, nga anëtarët e familjes rivale Veseli, në këtë rajon të banuar me shqiptarë etnikë, i cili u nda nga Serbia në vitin 2008.
Tradita e lashtë shqiptare e gjakmarrjes, ka detyruar familjen Neziri - madje edhe fëmijët - të ngujohen brenda shtëpive të tyre, vendi i vetëm i sigurt për ta. Sipas zakoneve të vjetra, vrasja e dikujt për hakmarrje brenda shtëpisë, do të ishte turp për dorasin.
Ligjet e fuqishme mesjetare
Drama në Grackë, fshatin që ndodhet në shpatet e maleve të Nerodimes, rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit, Prishtinë, filloi në shkurt 2010, kur një mosmarrëveshje e vjetër midis dy familjeve arriti kulmin me vrasjen e Brahim Veselit (40).
Katër vëllezër të Nezirit janë arrestuar dhe aktualisht po gjykohen për vrasje.
E ashtuquajtura “vrasje nderi”, e njohur si “gjakmarrje”, në ligjin shqiptar të hakmarrjes, për shekuj me radhë është rrënjosur thellë në zonat rurale, si pjesë e rregullave mesjetare fisnore të njohur si Kanuni i Leke Dukagjinit.
Kanuni thotë se "nëse një burrë vret një tjetër, familja e viktimës duhet të përgjigjet në të njëjtën mënyrë”.
Aktivisti i shquar i të drejtave të njeriut, Behxhet Shala, “gjakmarrjen” e përshkruan si “relikt i së shkuarës që ishte përdorur për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe vënë vetë drejtësinë në një shoqëri pa shtet”.
"Në ditët tona kjo është anomali”, thotë ai. "Por kjo nxjerrë në pah se këtu nuk ka funksionim të fortë të rendit e ligjit”, në Kosovë - ku misioni për rend dhe ligj i BE-së (EULEX) ende i monitoron dhe këshillon autoritetet.
Vëzhgues të tjerë gjithashtu thonë se këto “vrasje nderi” janë shtuar viteve të fundit, edhe pse nuk ka të dhëna të sakta.
Në emër të Kanunit, shkruar nga aristokrati shqiptar gjatë shekullit XIV, që kundërshtonte ligjet otomane, vrasësi mund të kërkojë garanci nga familja e viktimës - në formën e fjalës së nderit të njohur si "Besa" - se mbi ta nuk do të qëllohet në rast se dalin jashtë shtëpisë.
Në rastin e Nezirit, familja e viktimës ka refuzuar të pranojë një kërkesë të tillë, madje edhe për fëmijët nga shtatë deri në 14 vjeç.
“Jemi të pafuqishëm”
“Ata nuk na kanë dhënë besë, thotë Arjani (13), nipi i madh i Hakiut, duke i shikuar me habi të huajt në shtëpi. “Do të doja të shkoja në shkollë, por s’mundem”.
Fatlumi, vëllai i tij (10), do të dëshironte të kthehej në shkollë, “jo të kalonte klasat, por të luante me shokët”.
Pavarësisht tentimeve të personave lokalë me ndikim, familja Veseli ka refuzuar që fëmijët t’i përjashtojë nga armiqësia.
“Te familja Veseli isha me autoritetet lokale për më shumë se pesë herë, në tentim të arritjes së marrëveshjes për nxënësit e mi. Por ata nuk pranuan të flasim për dhënien e besës, thotë Ejup Shabani, drejtori i shkollës.
Edhe policia lokale shprehet e zhgënjyer.
“Jemi të pafuqishëm të veprojmë kundër traditës së Kanunit, derisa nuk mund ta provojmë veprën”, thotë Agim Gashi, oficeri i policisë.
Ai tregon se kur autoritetet kanë kontaktuar familjen Veseli, ata kanë insistuar se nuk janë duke i penguar fëmijët të shkojnë në shkollë.
“Megjithatë, fëmijët janë të frikësuar”, thotë ai.
Shkolla ka tentuar të ndihmojë duke dërguar mësues në shtëpinë e Nezirit, në baza javore, në mënyrë që ata të mos mbesin prapa. Policia, gjithashtu, i ka shoqëruar ata kur kanë pasur provime.
Bazuar në rregulla, nxënësit do të duhej përjashtuar për mosvijim të mësimit, “por ne jemi duke shkelur ligjet që të mos rrezikojmë arsimimin e tyre”.
Vrasja si shpëtim
Shyqeri Neziri (49), baba i dy fëmijëve, thotë se e kupton urrejtjen e familjes së viktimës, por u përgjërohet atyre që ata t’i lënë jashtë kësaj ngjarje.
“E keqja ka ndodhur. Tani është çështje e drejtësisë. Familja e dëmtuar duhet të kompensohet, por pa futur në këtë mes fëmijët. Ata duhet të shkojnë në shkollë”, thotë ai.
Fidan Veseli (20), nipi i personit të vrarë, thotë se tash për tash mbizotëron mendimi se familja e Nezirit nuk duhet prekur.
“Të shohim se çfarë do të bëjë drejtësia”, thotë ai, duke iu referuar rastit që është në gjykatë-ndonëse në Kosovë lënda ajo lëviz ngadalë dhe nuk dihet kur do të përfundojë.
Nipi nuk shpjegon pse familja e tij nuk dëshiron të pajtohet, që të mos prek fëmijët e Nezirit.
Si vëllai më i vjetër i familjes Neziri, Shyqeriu, me babanë e tij, ndjejnë peshën e përgjegjësisë që të nxjerrin familjen nga kjo situatë "pa të ardhme".
Të ngujuar në “fortesën” e tyre, ata kanë filluar që pjesë-pjesë të shesin pronën dhe kafshët, “që të fitojnë jetën".
Zhgënjimi shihet në fytyrën e Shyqeriut, kurse dëshpërimi është në fjalët e tij.
“Do t’u çoj fjalë atyre. Le ta zgjedhin kohën dhe vendin, unë do të shkoj atje”.
“Nëse është kusht për familjen time që ta heq qafe ‘gjakmarrjen‘, le të më vrasin mua", thotë ai. "Ata do të jenë të falur nga familja ime".
(Artikulli është marrë nga agjencia AFP. Titulli, nëntitulli dhe disa mestituj janë të redaksisë. Përktheu: Jeton Musliu)