“Heronjtë” e EULEX’it

Dy avokatë nga Çekia, Adam Basny, 35 vjeç dhe Petr Klement, 36 vjeç, të cilët janë të punësuar si prokurorë në kuadër të misionit të EULEX’it në Kosovë, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, kanë deklaruar për gazetën e këtij vendi, Hospodarske Noviny (HN), se përballen me rrezik gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Prokurori shtetëror, Basny është një ekspert në luftën kundër korrupsionit, i cili i ka thënë gazetës se gjëja e parë që mori kur ai mbërriti në Pejë, ishte një jelek antiplumb, një maskë kundër gazit dhe një helmetë.
Ai ka treguar se në Kosovë është për një mision njëvjeçar, së bashku me kolegë nga vendet e tjera të BE’së dhe janë vendosur në Kosovën perëndimore, që nga fillimi i ardhjes së tyre.
"Ishte sfidë për të luftuar krimin në Kosovë", tha Basny për HN.
Kurse Klement ka punuar në Mitrovicë që nga muaji tetor. Deri atëherë, ai ishte një ekspert ndërkombëtar në Zyrën e Lartë të Prokurorisë së Republikës Çeke.
"Në shtëpi shkoj në punë me tramvaj, kurse këtu, në Kosovë, duhet ta përdor një makinë të shërbimit dhe gjithmonë duhet ta raportojmë atë në qendër, nëpërmjet një radiolidhjeje. Zyra e prokurorit të shtetit në Brno nuk është e rrethuar me tela gjemborë, qentë endacakë nuk sillen rrotull dhe atje ka gjithnjë energji elektrike", ka thënë Klement për HN.
"Unë këtu duhet të mendoj se si t’i transportoj dëshmitarët shqiptarë në gjykatën që është në Veri, sepse është e rrezikshme për ata që të ecin nëpër rrugë vetëm", shton ai.
HN’ja shkruan se puna e Klementit dhe Basnyt është aventureske, sepse misioni i BE’së synon të shtrijë ligjin në Kosovë, një vend i ndarë nga mosmarrëveshjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe përmes të cilit kontrabandohet drogë në të gjithë Evropën.
Klement thotë se deri më tash, me sukses i ka zgjidhur disa raste.
"Unë tani kam 20 deri në 30 raste në tryezë. I kam fituar të gjitha deri më tash. Kam pasur vetëm një rast kur është apeluar", i tha ai HN’së.
Klement ka pasur raste të vrasjeve, plaçkitjeve, mashtrimeve doganore, si dhe ndotjes masive të mjedisit.
Ai ka deklaruar se rasti i tij më i keq përfundoi muajin e kaluar. "Një vëlla ka vrarë të motrën, e cila kishte dalë me të dashurin e saj në mbrëmje, pa lejen e familjes. Vëllai ishte përgjegjës për sigurinë e saj, sipas ligjit zakonor. Veprimet e vajzës cilësoheshin me turp, prandaj ai së bashku me të afërm të tjerë e sulmuan një natë atë, derisa kthehej me një makinë në shtëpinë e saj”, thotë Klement.
"Procedura përfundoi me një marrëveshje për pranimin e fajit dhe dhënien e dënimit të miratuar nga gjykata. Unë kurrë nuk do ta harroj babanë që ishte një tjetër viktimë e këtij akti absurd. Ai me lot në sy kritikoi duke kërkuar një dënim sa më të butë për djalin e tij që i kishte vrarë të bijën“, tha Klement.
Kosova që shpalli pavarësinë tri vjet më parë, pas luftës me Serbinë, është përfshirë nga korrupsioni dhe bandat, shkruan më tej gazeta HN.
Kjo është arsyeja, ka deklaruar prokurori, që persona si ai që merren me raste të tilla, shpesh janë në rrezik.
"Dikush duhet ta bëjë këtë. Paradoksalisht unë jam frikësuar në raste që nuk ishin shumë serioze. Ishte një rast i drogës, në të cilin të afërmit e një prej autorëve nuk donin që unë t’i bëja pyetje të akuzuarit që rezultonin me fajësinë e tij“, thotë Klement për HN’në.
Ai do të kthehet në vjeshtë në Brno (Çeki)
Basny, gjithashtu, ka disa raste në tryezën e tij, por ai tha se për ato nuk mund të bisedohet. "Ato janë krime të rënda, krim i organizuar në formën e tij më të rëndë", tha ai.
Basny tha për gazetën HN se ai nuk ka frikë për jetën e tij.
"Nëse do të kishim frikë prej likuidimit fizik, ju do të shkonit askund. Në qoftë se ata vendosin të më marrin, ata do ta bëjnë atë", tha ai për HN’në, duke shtuar se gjithmonë ka një radiolidhje me vete.
(Titulli dhe nëntitulli janë të redaksisë. Përktheu: Jeton Musliu)