KE shpëton buxhetin

Pavarësisht se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë ndihmën financiare për këtë vit, është dikush tjetër që nuk e ka ndërmend t’i ndalojë milionat për Kosovën.
Komisioni Evropian ka ndarë për Qeverinë e Kosovës 203 milionë euro për periudhën 2011-2013. Fondet e ndara për këtë periudhë, do të derdhen për vazhdimin e reformave në sektorin e gjyqësisë, administratën publike, për luftimin e krimin të organizuar dhe korrupsionit dhe janë fonde që do ta forcojnë ecjen e Kosovës përpara në Bashkimin Evropian.
Për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, derdhja e këtyre mjeteve konfirmon që Kosova edhe pas ridisenjimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të ketë mbështetjen e fuqishme të KE’së.
Të mërkurën, para kabinetit qeveritar, Thaçi ka thënë se kjo është përgjigjja më e mirë për zhurmuesit e marrëveshjes me FMN-në. Ai ka thënë se këto mjete nga KE’ja vijnë falë qeverisjes së mirë dhe efikase të Qeverisë së Kosovës. “Falë qeverisjes së mirë, efikasitetit dhe efektivitetit, sundimit të ligjit dhe transparencës, ne si Qeveri dhe institucione të tjera kemi edhe lajmin tjetër shumë të mirë nga Brukseli, që në kuadër të investime për reforma në Ballkanin Perëndimor, BE’ja për periudhën 2011-2013, ka ndarë për Kosovën 203 milionë euro”, tha kreu i ekzekutivit.
Ndarja e këtyre mjeteve, sipas tij, rikonfirmon që Kosova edhe pas ridisenjimit të marrëveshjes me FMN’në, do të ketë mbështetje shumë të fuqishme të KE’së. “Kjo është përgjigjja më e mirë ndaj zhurmuesve të progresit në Kosovë. Kështu që rruga e Prishtinës dhe Brukselit, por edhe Uashingtonit, janë të pandara, janë rrugë që na kanë bashkuar herët në vlerat e lirisë, të civilizimit, por tash të zhvillimit”, ka thënë Thaçi.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka vënë në dukje se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën vazhdon dhe kjo sipas tij, është konfirmuar edhe në takimin e djeshëm të Grupit Drejtues Ndërkombëtar. “Është një mbështetje unike dhe një vlerësim për të arriturat që po shënon Republika e Kosovës në procesin e forcimit dhe konsolidimit të shtetit dhe krijimit të marrëdhënieve të mira, por në të njëjtën kohë, mbështetje për të ardhmen evropiane të Kosovës. Në veçanti është inkurajuese mbështetja për hapat që po ndërmarrim ne për thellimin e reformave demokratike si kusht i domosdoshëm për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me BE’në”, është shprehur Thaçi.
Sipas tij, në takimin e GND’së, ishte një konkludim i përbashkët se Kosova është duke u konsoliduar si shtet me perspektivë të qartë euroatlantike. Para kabinetit qeveritar, Thaçi ka njoftuar për nismën e ndërtimit të terminalit të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, një investim prej 120 milionë eurosh, duke shprehur besimin e plotë se në afatin prej 2 vjetësh ky projekt do të përmbyllet dhe Kosova do ta ketë aeroportin më modern në rajon.
Ai po ashtu ka paraqitur edhe projektin për ndërtimin e qendrës sportive në Mitrovicë, e cila kap shumën prej 23 milionë eurosh. Kabineti qeveritar në mbledhjen e djeshme ka miratuar disa projektligje, mes të cilëve edhe Projektligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ndërsa po ashtu ka miratuar strategjinë nacionale të planit të veprimit për sigurinë në bashkësi.
E, Qeveria e Kosovës nuk do të përfitojë asnjë cent gjatë këtij viti, nga kreditë dhe donacionet e premtuara nga FMN’ja. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka ngrirë fondet prej mbi 135 milionë eurosh, që është dashur t’i dalin në konto këtë vit Qeverisë së Kosovës. Marrëveshja stand-by me këtë institucion financiar, sipas rregullave të FMN’së, ngrihet në ato raste kur shtetet nuk e respektojnë programin me këtë institucion. Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe me Kosovën, e cila ‘devijoi’ nga marrëveshja, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritje pagash.
203 milionë për reforma
Komisioni Evropian ka ndarë 203 milionë euro për periudhën 2011-2013. Fondet e ndara për këtë periudhë, do të derdhen për vazhdimin e reformave në sektorin e gjyqësisë, në administratën publike, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe janë fonde që do ta forcojnë ecjen e Kosovës përpara në Bashkimin Evropian.