Gradat e policisë nuk do të shoqërohen me lëvizje
Burime nga Ministria e Brendshme kanë pohuar se reforma e gradave s’do të ketë lëvizje të posteve drejtuese
TIRANË- Gradat e reja nuk pasuan me lëvizje në radhët e punonjësve të policisë së shtetit. Një fakt të tillë kanë pohuar burimet zyrtare të policisë së shtetit ditën e djeshme për “Shekullin”. Sipas tyre, deri më tani gradat u janë shpërndarë një pjesë të mirë të uniformave blu, të cilët nuk kanë lëvizur nga vendet e tyre të punës. “Të gjithë punonjësit e policisë kanë marrë gradën që u takon, në bazë të kritereve ku më kryesorët ishin vjetërsia e punës, dhe funksioni aktual, ndaj dhe nuk janë kryer lëvizje dhe deri më tani nuk konfirmohet që të ketë lëvizje në radhët e policisë së shtetit”,- thanë burime zyrtare nga policia. Ndërkohë që pritet të miratohen pagat e reja të punonjësve të policisë javën e ardhshme.
Lëvizjet
Gjatë procesit të implementimit të ligjit për gradat e reja të punonjësve të policisë së shtetit, burimet nga dikasteri blu deklaruan se priteshin lëvizje. Kjo për shkak se shumë efektiva blu nuk meritonin vendin e punës për shkak të gradës që do u jepej. Por duket se shtimi i viteve të akademisë së rendit në vjetërsinë e punës la favorizuar jo pak policë të cilët për nga vjetërsia e punës nuk meritonin detyrën aktuale pas gradës së re. Kështu burimet zyrtare të policisë së shtetit i thanë dje “Shekullit” se deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje, ndërkohë që diçka e tillë nuk pritet të ndodhë. Megjithatë lëvizje sporadike mund të ketë për qëllime efikasiteti në punë. “Mund të ketë lëvizje të cilat do të jenë vende paralele, por jo lëvizje për ulje në detyrë”,- thanë burimet policore. Por megjithëse gradat e reja nuk kanë pasur me lëvizje, kjo nuk i ka stepur punonjësit e policisë të mos ankohen. Burime policore thanë se ka pasur disa ankesa nga punonjës policie të cilat kanë pretenduar se meritonin një gradë më të lartë nga ajo që kanë marrë.
Shpërndarja
Shpërndarja e gradave ende nuk ka përfunduar. Megjithëse kanë kaluar dy javë ka nisja e shpërndarjes ka ende policë të cilët nuk kanë marrë në dorëzim gradën e tyre të re. “Procedurat nuk janë dhe aq të thjeshta. Kështu pasi drejtoria e personelit ka përfunduar praktikën ia dorëzon drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit i cili firmos gradat e çdo vartësi të tij. Më pas ajo u shpërndahet me faks apo postë policie, efektivave blu në drejtoritë rajonale apo komisariate” thanë për “Shekullin” burime nga policia. Ndërkohë që javën e ardhme pritet të miratohen dhe pagat e reja për policinë e shtetit. Këshilli i ministrave do të miratojë brenda shtatë ditëve pagat e punonjësve të policisë të cilat do të kenë rritje. Mësohet se policët do të marrin rrogë të rritur duke filluar me muajin qershor, pasi pavarësisht se vendimi miratohen në fillim të korrikut do të hyjë në fuqi që më datë një të muajit qershor.