Tiranë, konflikt me armë për një plagosje të vjetër
Erjon Mihali, ka qëlluar me pistoletë drejt Valdrin Hoxhës, që e akuzonte se e kishte goditur pak kohë më parë
TIRANË- Tenton të hakmerret pasi pretendonte se e kishte goditur një muaj më parë. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë kur policia është lajmëruar për të shtëna armësh. Menjëherë forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat. Nga hetimet e para u zbulua se 26-vjeçari Erjon Mihali, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Valdrin Hoxhës. Ky i fundit ka shpëtuar paq nga plumbat. Ndërkohë pasi qëlloi në drejtim të Hoxhës por pa e shënjuar, Mihali është larguar me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. Zyra e vrasjeve pranë policisë së Tiranës nisi hetimet për të zbardhur shkakun e ngjarjes. Nga hetimet e para burimet policore thanë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta mes dy të rinjve. Dyshohet se Mihali pretendoi se Hoxha e kishte goditur një muaj më parë ndaj dhe vendosi të hakmerret. Megjithatë policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa ka shpallur në kërkim autorin. Erjon Mihali ka qenë edhe më parë i arrestuar nga policia pasi mori peng hajdutin e automjetit të tij. Ngjarja për të cilën u arrestua Mihali ka ndodhur në prill të vitit 2007 kur ai në bashkëpunim me një person tjetër mbajti peng për katër orë radhazi një person pasi pretendonte se ai i kishte vjedhur automjetin, duke i kërkuar një shumë parash si dëmshpërblim. Ndërhyrja e policisë liroi penguan ndërsa prangosi dy autorët. Por Mihali nuk qëndroi më shumë se tre ditë në qeli pasi gjykata vendosi ta lirojë atë duke e gjykuar në gjendje të lirë. Por policia bëri me dije ditën e djeshme se Erjon Mihalin e ka identifikuar sërish si autorë të një ngjarjes që ndodhi dy net më parë, ndaj dhe e ka shpallur në kërkim atë.