Gradat, ndryshimet në paga për Policinë e Burgjeve fillojnë në vitin 2010
Prej disa javësh ka përfunduar njehsimi i gradave për Policinë e Burgjeve në të tri nivelet drejtuese. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas të cilave nga dy komisionet e ngritura në Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kanë përfunduar së vlerësuari gradat e nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët. Por, njehsimi i gradave kërkon domosdoshmërish edhe disa ndryshme në pagat e punonjësve të policisë, të cilëve me ndryshimet u ka lëvizur paga. Sipas burimeve, këto ndryshime të pagave, bazuar edhe në buxhetin e miratuar, do të bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Ministrisë së Drejtësisë. “Ndryshimet e gradave kanë sjellë edhe nevojën për ndryshime në pagat e punonjësve. Por, ndonëse ky proces ka përfunduar, fondi për këto ndryshime në pagë nuk ka ekzistuar pasi si ligj ka kaluar pas miratimit të buxhetit për vitin 2009. Ministria e Drejtësisë, në përfundim të njehsimit të pagave ka përgatitur një propozim për Këshillin e Ministrave për rritjen e pagave dhe vetëm pas VKM-së së qeverisë pagat do të jepen në bazë të gradave. Tashmë, me miratimin e buxhetit në Kuvend, fondi për ndryshimet që mund të ketë në pagat e punonjësve të policisë do të kalojë për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në fillim të vitit 2010 pritet që punonjësit e policisë së burgjeve të paguhen me gradat e reja” shprehen për gazetën “standard” burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ligji i ri për Policinë e Burgjeve parashikon se paga e punonjësve caktohet sipas gradës dhe funksionit që mban marrësi i saj. Po në këtë ligj thuhet se “paga mujore përbëhet nga paga bazë, pra paga për gradë dhe shtesat mbi këtë bazë për kushte të tjera të veçanta gjatë shërbimit”. Sipas ligjit, punonjësit e Policisë së Burgjeve përfitojnë në fund të çdo viti financiar një shpërblim sipas vlerësimit të punës deri në një pagë mujore. Një sistem i tillë i pagave dhe vlerësimit në këtë aspekt duket se është bazuar në skemën e përdorur nga Policia e Shtetit, e cila gjithashtu vitin që shkoi kreu një reformë totale mbi gradat dhe hierarkinë në radhët e saj, duke vendosur edhe pagën mujore të efektivave në varësi të këtyre përcaktimeve. Megjithatë, ajo që bie në sy, është përcaktimi në ligjin e Policisë së Burgjeve, se punonjësit e kësaj strukture në çdo fundviti financiar mund të marrin shpërblime që arrijnë deri në vlerën e një page mujore.
Gradat
Sipas ligjit, përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e mesëm përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ndërsa, përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e lartë përcaktohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë. Në ligjin e ri është rregulluar hollësisht çështja e gradave të Policisë së Burgjeve, ku përfshihen çështje si hierarkia për rolet dhe gradat, kriteret për fitimin e gradës, përcaktimi i funksioneve për gradë, heqja apo ulja në gradë, si dhe e drejta e ankimit në rast se punonjësi nuk është dakord me vlerësimin për gradën. Efekti financiar i ligjit “Për Policinë e Burgjeve”, duke llogaritur fondin e pagës, si dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, arrin në shumën prej 1.750.987 mijë lekësh. Përllogaritja është bërë duke pasur parasysh që sistemi i gradave i propozuar të përputhet me tabelën e pagave të Ministrisë së Brendshme për këto grada, duke i zhveshur nga specifikimet që ka vetë Ministria e Brendshme. Gjatë përllogaritjes u konsiderua mesatarja e vjetërsisë dhe gradave sipas vendeve të punës, si dhe u mor në konsideratë niveli aktual i trajtimit financiar për Policinë e Shtetit, përshtatur në shërbimet që realizon Policia e Burgjeve. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se komisioni që do të ngrihet në këtë drejtori do të përcaktojë gradat për punonjësit e rolit bazë dhe atij të mesëm, ndërsa komisioni që do të ngrihet në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktojë gradat e rolit të lartë. Në përfundim të përcaktimit të gradave, do fillojë zbatimi i pagave sipas gradave të marra dhe efektet financiare, të cilat do të rregullohen me ligj.
Si do të bëhet ngritja në gradë
Çdo ngritje në gradë do të bëhet përmes konkurrimit. Ngritja në gradë e punonjësit të policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, komisioni i dhënies së gradave përcakton gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të policisë. Punonjësit e policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit përkatës për atë gradë. Punonjësit e policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues. Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. Ndërsa, grada “Nëninspektor” i jepet punonjësit të rolit bazë që në momentin e fillimit të punës, pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit bazë në Qendrën e Trajnimit. Sipas ligjit të ri, punonjësit e policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Qendrën e Trajnimit, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi në Qendrën e Trajnimit. Referuar ligjit të ri për “Policinë e Burgjeve”, ngritja në gradën “Kryeinspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi në Qendrën e Trajnimit. Gjithashtu, punonjësit të policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, në bazë të disa afateve.
Ndërprerja e karrierës, kur llogaritet gradimi
Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës; paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj; pezullimit apo largimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm; si dhe pezullimit deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen. Gjithashtu, në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të lejes së përfituar pa të drejtë pagese dhe pezullimeve për shkaqe disiplinore.
Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë janë:
a) Nëninspektor për policët e rolit bazë në detyra të thjeshta shërbimi;
b) Inspektor për përgjegjësit e shërbimit;
c) Kryeinspektor për ndihmësit e specialistëve dhe përgjegjësit e grupeve të shoqërimit.
2. Punonjës i rolit të mesëm:
a) Nënkomisar për specialistët e trupës;
b) Nënkomisar, komisar për shefat e regjimeve dhe specialistët e informacionit;
c) Komisar, kryekomisar për specialistët në DPB dhe përgjegjësit e sigurisë.
3. Punonjës i rolit të lartë:
a) Kryekomisar, Drejtues për Përgjegjësit e Sektorëve në DP-në e Burgjeve.
b) Drejtues, Drejtues i parë për drejtorin e Policisë së Burgjeve.