Shpërthim në banesën e vjehrrit të nënkryetarit të KLD-së, Spahiu
Një sasi eksplozivi është vendosur në banesën e vjehrrit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës në Durrës. Sipas burimeve nga policia, lënda plasëse është vendosur në banesën në lagjen nr. 12 të këtij qyteti. Shpërthimi ka qenë i fortë, duke ngjallur panik tek banorët e ndryshëm të zonës dhe se ka pasur vetëm dëme materiale. Burime policore bëjnë të ditur se në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona në banesë. Sapo është marrë njoftimi, menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia e qytetit, e cila ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. U ngrit një grup pune për të hetuar motivet që kanë çuar në këtë shpërthim. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u sekuestrua një fitil zjarrpërcjellës, i përdorur për të bërë ndezjen e eksplozivit. Dyshohet se për shpërthimin janë përdorur 15 gramë eksploziv, si një shenjë paralajmëruese ndaj dy vëllezërve Gjuzi. Ndërkohë, sipas burimeve nga policia, janë pyetur edhe pronarët e banesës të cilët kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë konflikt me ndonjë person. Policia e qytetit bregdetar është shprehur rreth ngjarjes se hetimet janë shtrirë në disa pista, por ende nuk ka një pistë zyrtare apo pistë konkrete. Burime policore bëjnë të ditur se si shkak i mundshëm i këtij shpërthimi dyshohet një konflikt i vëllezërve Gjuzi me një fqinjin e tyre, për shkak të një shtese që po bëhet në pallat. Por nga policia janë hedhur edhe versione të tjera si: aktiviteti si biznesmen i kunetërve të nënkryetarit të KLD-së, apo ndonjë konflikt i mbartur gjatë kohës që kanë qenë në Itali. Vëllezërit Gjuzi disponojnë si aktivitete biznesi një butik dhe një agjenci udhëtimesh. Burime policore janë shprehur se nuk përjashtojnë asnjë nga pistat e mësipërme, por ndërkohë që shprehen se nuk kanë ende diçka konkrete. Vetë djemtë e Ramazan Gjuzit janë shprehur se nuk kanë asnjë konflikt qoftë brenda dhe qoftë jashtë vendit. Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.