E Diel, 1 Nëntor 2026

Grafia digjitale Shimadzu, ekzaminime radiologjike të shpejta në dispancerinë e Spitalit Rajonal Vlorë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës, në shërbimin e dispancerisë pacientët diagnostikohen përmes teknologjisë moderne të grafisë digjitale Shimadzu, që vijon të ofrojë ekzaminime radiologjike të shpejta dhe cilësore ndaj tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se aparatura digjitale mundëson imazhe me rezolucion të lartë dhe përdoret për diagnostikimin e patologjive respiratore, si dhe për shërbimin ambulator të specialiteteve të ndryshme të spitalit.

Tekniku i imazherisë në dispancerinë e Spitalit Rajonal Vlorë, Emiliano Haruni, tha se aparatura është instaluar pas rikonstruksionit të ambienteve të këtij shërbimi dhe është një pajisje digjitale e markës japoneze “Shimadzu”, e prodhuar në vitin 2022.

“Ky repart mbulon shërbimin e të gjithë të sëmurëve respiratorë. Gjithashtu mbulon shërbimin ambulator të të gjitha specialiteteve, në mënyrë 100% shërbimin e pediatrisë, të patologjisë, të kirurgjisë, të ORL-së dhe të gjitha pavijonet e tjera që kanë nevojë për ekzaminime specifike”, u shpreh Haruni.

Sipas tij, gjatë sezonit turistik është rritur ndjeshëm fluksi i pacientëve që paraqiten nga shërbimi i urgjencës, por kapacitetet e dispancerisë kanë bërë të mundur përballimin e këtij fluksi.

“Jemi në pikun e sezonit turistik dhe këtë periudhë kemi pasur një prurje goxha të shtuar nga urgjenca, të cilën ne e kemi përballuar me shumë sukses”, tha Haruni.

Investimi në teknologjinë e imazherisë synon të përmirësojë shërbimin diagnostik dhe të garantojë ekzaminime më të shpejta e më cilësore për pacientët e Vlorës dhe zonave përreth, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›