E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grafika e harruar në shoqërinë e Bodlerit

Rajmonda Mato në Galerinë e Akademisë së Arteve me 28 grafika deri më 30 mars


Në Galerinë e Akademisë së Arteve është hapur deri më 30 mars ekspozita e grafistes Rajmonda Mato, gjithsej 28 punë.


Në krah të çdo kompozimi bardh e zi, janë vendosur pasazhe të shkurtra poezish, të Sharl Bodlerit, ku i këndohet natyrës, dhimbjes, verës, poezisë, shpirtit kureshtar, shpresës, vetmisë, kujtimeve, mërzisë, lumturisë, pasionit.


"Tek Bodleri gjeta ato që mua më mundojnë dhe që janë brenda meje. Me vargje të tij mendova të pagëzoj veprat e mia. I shkonin për shtat shijes sime artistike.


Ndoshta edhe unë kam brenda meje disa revolta të vogla, që kërkoj t'i shpreh", shprehet Mato dhe shpjegon se grafikat prezantojnë gjendje të ndryshme para dhe gjatë momentit të krijimit. Në grafikën ku shihet imazhi i një kitarre, ajo ndalet dhe tregon se është pasioni që ka për muzikën i shprehur aty, që shkon mirë me vargjet: "Sipër ujit shkas, vala vjen më merr".


Teknika e përdorur në realizimin e 28 grafikave, është "gjilpërë e thatë" (dry point), një teknikë e lodhshme, e vështirë, siç e përshkruan artistja.
"Ka shumë angari në rastin e realizimit, do pak fuqi fizike, nga ana teknike është e mundimshme". Kjo është arsyeja që artistët shqiptarë, nuk e aplikojnë shumë këtë lloj teknike. Këtë shqetësim shpreh edhe artisti Gazmend Leka, në impresionet e tij për ekspozitën:


"Je nga të paktët krijues që prek daltën, rulin, zingun, presën...Shumë nga ne e kanë anashkaluar këtë ndjesi, apo thënë më zë të lartë e kanë tradhtuar këtë gjini që sot në ambientet artistike ka pamjen e një të braktisuri, siç kanë të njëjtin fat edhe akuareli, pasteli, vizatimi e shumë dashuriçka të volga që dikur i kishim dashurinë më të madhe. Ti ende e do grafikën dhe e sajdis, duke vendosur një raport intim, për të shprehur atë që rri fshehur e që turbullon shpirtin tënd.


Duket i parëndësishëm arti yt, por, po ta shohësh thellë, është një kontribut shumë i çmuar kjo që ti po bën sot, përtej vlerës së veprës".


Rajmonda Mato jep mësim në Liceun Artistik "Jordan Misja" të Tiranës, që nga viti 1994. Është prezantuar me disa ekspozita në Tiranë, në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1992, pjesëmarrëse e "Onufrit" nga viti 1993 deri më 1997. Ka marrë pjesë edhe tek "Linda '97", në Qendrën Kulturore "Lindart". Jashtë vendit ka hapur ekspozita në Austri, Suedi etj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›