E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi-Skënderbeu, një sfidë që vlen mbijetesën në elitë

Superiore Dinamo përballë Kastriotit, me premtimin për lojë të ndershme

Java e 25 e Kategorisë Superiore do të hapet me sfidat Gramozi-Skënderbeu dhe Dinamo-Kastrioti. Ndeshja në Ersekë cilësohet si një duel për mbijetesën mes më të mirave, ku si formacioni i Agim Canajt, ashtu edhe ai korçar, i drejtuar nga Mirel Josa, kërkojnë me patjetër tri pikët. Deri në këtë pikë të kampionatit, Gramozi renditet në vendin e fundit në klasifikim, në kuotën e 22 pikëve. Por, me fitoren 2-0 në fushën e Teutës, shpresat e kolonjarëve për të mos u kthyer në Kategorinë e Parë janë “gjallë”. Ata kërkojnë vazhdimësinë në rezultate, pas triumfit në “Niko Dovana”, i vetmi në transfertë gjatë këtij sezoni. Përballja me Skënderbeun merr vlera të dyfishta edhe prej faktit se bardhekuqtë renditen të parafundit dhe ata janë një rival direkt për një vend mes më të mirëve. Në anën tjetër, korçarët po kalojnë një moment pozitiv. Ata kanë regjistruar katër fitore në katër ndeshjet e fundit, por 12 pikët të cilat i kanë afruar me skuadrat e tjera janë shoqëruar me dyshime dhe akuza për tolerime. Me 27 pikë të grumbulluara, të besuarit e Josës qëndrojnë poshtë Flamurtarit vetëm prej golavarazhit, ndërsa me një fitore sot, ata do të kapërcenin vlonjatët dhe Kastriotin. Në takimin tjetër që do të luhet në Tiranë, të paktën në letër Dinamo pritet të regjistrojë një fitore të thjeshtë. Por, kryesuesit e kampionatit po kalojnë një moment të vështirë (mes mungesës së motivimit, eliminimit nga Kupa dhe akuzave për ndere), një situatë nga e cila Kastrioti mund të përfitojë, për t’u larguar nga zona “play-out”. Trajneri Muça ka premtuar se dinamovitët nuk do të tolerojnë, por këtë do ta vërtetojë vetëm fusha.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›