E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dygolësh i Kreshnik Ivanajt, Luftëtari k.o.

Nga Burreli, Dritan Kurti

Matjanët kanë mundur pastër kryesuesit në stadiumin Liri Ballabani. Gjirokastritët tronditen, edhe pse janë 3 pikë para vendit të dytë


Burreli Luftëtari 2-0

Shënues: Ivanaj 26, 71

 

Burreli: Haxhiu, Ndreka, Melani, Grizha, Prela, Osuji, Kadiu (Methasani 68), Mata (Haxhia 83), Lekaj, Ivanaj (Rahova 88), Pirani. Trajner: E.Plori.

Luftëtari: Selimaj, Baci, Lluka, Braho (Raboshta 57), Nora, Çaço, Ramadani (Mersini 65), Devolli, Sinani (Brahimi 46), Nino, Hithi. Trajner: N. Dede.

Gjyqtarë: L.Jemini, R.Agolli, G.Qirici (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Mata, Ivanaj, Haxhiu, Rahova, Nora, Hithi, Nino, Raboshta


Burreli është kthyer te fitorja menjëherë. Pas humbjes në Lezhë të shtunën që shkoi, matjanët nuk kanë gabuar në stadiumin Liri Ballabani, ku kanë mposhtur Luftëtarin kryesues me një dy gola të sulmuesit Kreshnik Ivanaj, nga një në çdo pjesë.

Ka qenë një takim i bukur për tifozët e shumtë të Burrelit, të cilët kishin mbushur shkallët e stadiumit. Nga ana tjetër, miqtë nga Gjirokastra nuk mundën të shënonin as golin e nderit në këtë ndeshje dhe, pas kësaj humbjeje, mbeten 3 pikë para Kukësit rival. Është një humbje, që e vë në pozita pune ekipin kryesues.

Luftëtari provon të shënojë i pari dhe që në minutën e 5-të, kur Devolli kërcënon, por pa rezultat. Reagon Burreli dy minuta më pas me Lekajn, i cili gjuan drejt portës së Selimajt, por nuk arrin ta gjejë rrjetën mike. Në minutën e 14-të Pirani dëmtohet rëndë dhe në fushë fillon një zënkë mes futbollistëve. Mata dhe Nora ndëshkohen me karton të verdhë dhe më pas loja vazhdon qetësisht. Osuji gjuan fort nga distanca, por pret Selimaj.

Më pas është Ivanaj, i cili provon të kalojë portierin mik, por edhe ai nuk ka rezultat. Në minutën e 26-të Ivanaj merr një top nga Ndreka, gjuan fort dhe 1-0. Loja bëhet më e bukur, sepse Luftëtari nuk pajtohet me rezultatin dhe përpiqet ta barazojë.

Nuk ka ndryshim rezultati në pjesën e pare, ku mund të veçohet një gjuajtje e Prelës dhe topi kalon ngjitur me shtyllën. Pjesa e dytë ka më shumë emocione, ndërkohë që nuk mungojnë provokimet e miqve. Luftëtari nuk arrin të rrezikojë seriozisht dhe në minutën e 71-të ndëshkohet me golin e dytë.

Prela jep një top për  Ivanajn, që shmang mbrojtjen gjirokastrite dhe nuk gabon përballë portierit Selimaj. Në fushë rritet tensioni dhe një ndërhyrje e rëndë e Ninos ndaj Methasanit krijon një moment rrëmuje. Nino ofendon matjanët dhe atij i kundërpërgjigjet Grizha, ndërkohë që kryesori Jemini i ndëshkon të dy me karton të kuq.

Të dy ekipet luajnë me 10 vetë 15 minutat e fundit, ku nuk ka asnjë ndryshim rezultati. Burreli regjistron kështu një tjetër rezultat pozitiv dhe këtë radhë fitorja ka vlera, pasi është arritur ndaj Luftëtarit kryesues. Ndeshjen e kanë ndjekur nga afër Flamur Bime dhe Adelina Farrici, kryebashkiakët e dy qyteteve.

 

Trajnerët

Elvis Plori, trajner i Burrelit: Ishte një ndeshje, që e kishim vlerësuar, sepse prisnim ekipin kryesues. Ishim mjaft të emocionuar që në fillim, por arritëm të marrim atë që na takonte. Luftëtari kërkoi me ngulm të shënonte, por nuk arriti të bënte asgjë. E vlerësoj shumë ekipin e Luftëtarit, që nuk është rastësisht në vend të parë. Falënderoj tifozërinë matjane, që i dha forcë ekipit.

Nevil Dede, trajner i Luftëtarit: Krijuam voluam loje dhe shkuam disa herë para portës, por nuk arritëm të shënojmë. Provuam edhe me gjuajtjet nga larg, por pa sukses. Pësuam dy gola, ku kundërshtari  shfrytëzoi pikat tona të dobëta. Burreli është një ekip, që fazën e dytë ka treguar vlera. Futbollistët tanë krijuan disa incidente në fushë, për të cilat do të mbajnë përgjegjësi. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për ndeshjen e ardhshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›