E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi paralajmëron lojtarët: Mundi Apoloninë ose ndëshkime!

Superiore Drejtuesit kërkesë për falje Apelit që të luajnë në prani të tifozëve

Ka qenë një ndër skuadrat, e cila ka luajtur ndoshta futbollin më të ndershëm në këtë sezon, por nuk ka mundur ta shmangë rënien tashmë të garantuar në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për Gramozin, i cili edhe pse e njeh fatin e tij larg elitës së futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm, kërkon të gjejë motive për të luajtur futboll të ndershëm dy javët e fundit të kampionatit. Presidenti Taçi së bashku me njerëzit e tjerë të cilët i qëndrojnë pranë skuadrës, i kanë dhënë ultimatum lojtarëve për ndeshjen e fundit me Apoloninë, që do të luhet në Ersekë. “Kemi qenë mjaft korrektë me ju dhe ashtu do vazhdojmë të jemi deri në fund të kontratave, por në rast se ju nuk fitoni ndeshjen e fundit që luhet me Apoloninë në fushën tonë, atëherë do jemi të detyruar t’ju ndëshkojmë me gjoba dhe masa të tjera. Tifozët e mrekullueshëm kolonjarë e meritojnë, që aventurën tonë në Kategorinë Superiore ta mbyllim me fitore dhe ne nuk mund t’i privojmë nga kjo gjë”. Nga burime pranë drejtuesve të Gramozit mësohet se zyrtarët e këtij klubi po përgatisin një shkresë për Komisionin e Apelit në FSHF, ku i kërkohet të falen për ndeshjen e fundit të sezonit në Kategorinë Superiore, të cilën do ta luajnë në shtëpi pikërisht kundër Apolonisë, ende në luftë për të shpëtuar në rënia. Kjo kërkesë vjen për faktin se Gramozi është dënuar me katër ndeshje pa tifozë, por deri më tani ka shlyer vetëm tre prej tyre. Duke qenë se mbyllja e sezonit për këtë skuadër, e cila pas një viti aventurë në Kategorinë Superiore, do të kthehet sërish në Kategorinë e Parë, drejtuesit e klubit kolonjar do t’i kërkojnë kështu një “nder” FSHF-së, për të hapur portat për tifozët nga qyteza juglindore. Gjithsesi shanset që kjo kërkesë të pranohet janë të pakta, edhe për faktin se do të duhet të shkelet rregullorja, pasi aktualisht ka kaluar edhe afati i përcaktuar për apelim të vendimeve të Disiplinës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›