E Diel, 1 Nëntor 2026

Kavaja në festë, Kupa i shkon Besës

Humbja me Besën vulos një sezon totalisht të dështuar të Vllaznisë, që mbetet edhe jashtë Europa League Verdhezinjtë përmbysin 2-1 Vllazninë në finalen 120-minutëshe plot emocione

Besa nuk fal, fiton trofeun e dytë në historinë e saj, Kupën e Shqipërisë për të dytën herë në katër sezonet e fundit. Kavajasit kanë triumfuar 2-1 ndaj Vllaznisë pas 120 minutash lojë. Kjo humbje vulos një sezon të dështuar të shkodranëve, të cilët nuk do të kenë më shansin për të shkuar në Europa League. Besa, e mbështetur në një formacion me theks sulmues, bën një nisje më të mirë të ndeshjes, ku tregohet më agresive dhe tenton disa herë të vërë në vështirësi Vllazninë me anë të Sinanit dhe të Xhafajt. Rasti më i mirë për kavajasit vjen pas 12 minutash, kur Xhafaj devijoi me kokë një goditje dënimi dhe do trondiste pjesën e poshtme të shtyllës pingule të portës së Grimës. Vllaznia i mëshon më shumë mbrojtjes, por nuk heq dorë nga inkursionet në drejtim të zonës kundërshtare, edhe pse i mungon qartësia. Ndërsa djemtë e drejtuar nga Shpëtim Duro janë më të rrezikshëm. Sinani duket i karikuar dhe është ai kërcënimi kryesor për ish-skuadrën e tij, të cilën mbrëmë e kishte kundërshtare. Besa vendoset mirë në fushë, krijon një volum më të madh loje dhe rrjedhimisht më shumë raste. Në minutën e 44, Grima u mohon golin kavajasve. Shkodranët, duke njohur mirë edhe potencialin e Besës, aplikojnë më shumë kundërsulmin e shpejtë, me Shtubinën dhe Balën, por nuk janë shumë efektivë. Me gjithë përpjekjet e shumta të skuadrës së Duros, pjesa e parë mbyllet pa gola. Pjesa e dytë dhuron më shumë emocione. Në minutën e 53-të, shkodranët i afrohen golit me anë të të riut Shtubina, i cili me një goditje të prirët qeth traversën e portierit Shehi. Talenti shkodran është protagonist edhe në një tjetër aksion një minutë më vonë, kur një pas i futur në zonë, goditet nga Osja, por bllokohet nga një mbrojtës. Këto ishin sinjalet domethënëse nga ana e një Vllaznie më të bukur në këtë 45 minutësh, e cila shumë shpejt do të gjejë edhe golin e avantazhit. Në minutën e 64, Nallbani ekzekuton një goditje dënimi, topi devijohet brenda zonës nga Bala, i cili nxjerr jashtë trajektores portierin Shehu dhe përfundon në rrjetë. Një goditje për Besën, e cila po luante mirë. Megjithatë Duro nuk ka asgjë për të humbur dhe e zhvendos skuadrën përpara. Xhafaj e ka një shans për të barazuar, por topi i goditur me kokë nga ai përfundoi pak mbi traversë. Vetëm 79 minuta në fushë për Sinanin, i cili gjatë zëvendësimit rrëmben duartrokitje e të dy tifozerive. Në minutën e 81-të, gjyqtari i anulon një gol Besës, pasi në momentin e goditjes së dënimit, topi përfundon në rrjetë, por më parë Xhafaj shkaktoi një faull ndaj portierit Grima. Por në një tjetër goditje tjetër dënimi, fotokopje e asaj të para pak minutave, Besa gjen golin e barazimit 1-1 pas një devijimi të Arapit. Koha e rregullt prej 90 minutash plus 6 shtesë nuk mjaftojnë, kështu kalohet në kohët suplementare. Shtatë minuta pas rifillimit, Grima ndal Poçin, por mbrojtja shkodrane harron të lirë Dhëmbin, i cili shënon me lehtësi me kokë golin e 2-1. Edhe në pjesën e dytë është sërish Besa më e rrezikshme. Shkodranëve u mungon qartësia në sulm, megjithatë nxjerrin një rast të pastër për shënim, por është plotësisht merita e portierit Shehi, që Vllaznia nuk shënon dot golin e barazimit në minutat e fundit të shtesës së dytë. Koha nuk mjafton më dhe fërshëllima e gjyqtarit zyrtarizon Besën fituese.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›