E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramsh, shemben shtatë shtëpi, banorët që qiell të hapur

I vetmi që ka vizituar banorët është nënprefekti i cili ka dërguar një çadër. Të dëmtuarit bëjnë apel për ndihmë



GRAMSH- Shirat e këtij viti kanë shkaktuar dëme të mëdha sidomos në rrethin e Gramshit. Kështu në fshatin Gribë të komunës Kukur janë shembur shtatë shtëpi dhe banorët kanë mbetur në qiell të hapur. Në vendin ku janë shkatërruar shtëpitë dhe disa hektarë tokë ka qenë vetëm nënprefekti i Gramshit, Shkëlqim Hoxha duke dërguar një çadër por asgjë më shumë. Disa prej familjeve që kanë pësuar dëmtime qëndrojnë në çadra ndërsa disa të tjera kanë ndërtuar kasolle me mjete rrethanore në pritje të ndonjë ndihme.
Ata ankohen se tashmë janë harruar nga pushteti lokal për ndonjë ndihmë. Në vendin e rrëshqitjeve ka qenë edhe deputeti i zonës Damian Gjiknuri. Ai ka parë nga afër vendin ku jetojnë shtatë familjet që nuk kanë më shtëpi. Sipas deputetit, zona të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore janë harruar edhe pse nevojat e tyre janë emergjente pasi kushtet e jetesës janë mjaft të vështira. "Njerëzit janë ngritur në një revoltë. Kanë të drejtë të revoltohen pikërisht, për këtë harresë në të cilën i ka lenë qeveria shqiptare. Ky fshat ka kohë që është ndodhur përballë fenomeneve të natyrës, shtëpitë janë shkatërruar, të mbjellat janë shkatërruar me gjithë përpjekjet që kanë bërë edhe pushteti vendor për të kërkuar ndihmë, asnjë ndihmë nuk ka ardhur. Askush nga qeveria nuk e ka vrarë mendjen, as nga prefektura, as nga gjithë strukturat",- tha Gjiknuri. Kryetari i komunës Kukur, Luan Kokla, tha se i vetmi që ka parë këta banorë ka qenë nënprefekti Hoxha ndërkohë që për këta banorë nuk ka ardhur asnjë ndihmë tjetër. Të shqetësuar banorët thonë se po bëhet mbi një muaj që shtëpitë e tyre u shkatërruan dhe nuk kanë marrë asnjë lajm të mirë për mundësinë e ngritjes së shtëpive apo një sistemim tjetër provizor.

Ndërsa një banor i Kukurit duke i kërkuar ndihmë qeverisë, ashtu siç ajo në kohë zgjedhjesh i kërkon votën shprehet, "Komplet, po bën një muaj e disa ditë që po rrimë këtu në këto shtëpi, ja ku është kolibja, s'kam ku vete. Shteti të vërë dorë tek këta njerëz, ashtu siç shteti ka nevojë kur vjen ajo ditë për votën, ashtu kam nevojë edhe unë sot. Shtëpia u fundos dhe ne po rrimë në qiell të hapur". Në pritje të një ndërhyrjeje ata thonë se ministri i Brendshëm është edhe deputet i qarkut e duhet të mendojë më shumë për zonat që janë dëmtuar nga natyra për shkak të reshjeve të shumta të muajve të fundit. Deputeti Gjiknuri u ka thënë banorëve se do të ngrejë zërin në institucione dhe në parlament për shqetësimin e madh që po kalojnë këta banorë. Sipas tij, qeveria nuk ka lënë në harresë vetëm banorët e Kukurit, por gjithë rrethin e Gramshit, ku me mijëra njerëz jetojnë në varfëri ekstreme.

"Realisht kjo është një revoltë popullore nga një gjendje tepër mjerane, tepër e vështirë që po jeton jo vetëm populli i kësaj zone, por i gjithë rrethit të Gramshit. Fatkeqësisht rrethi i Gramshit mund të quhet me gjithë kuptimin e fjalës një rreth i harruar. Kjo është një qeveri e cila nuk interesohet fare për fatin e këtyre njerëzve. Janë me mijëra e me mijëra njerëz, të cilët po jetojnë në një varfëri ekstreme dhe kanë gjithë të drejtën e Zotit të ngrihen të revoltohen për këtë situatë të papranueshme nga kjo keqqeverisje e vendit, përfundoi deputeti Gjiknuri. Zona e Gramshit është më e goditura nga reshjet e shumta dhe rrëshqitjet e këtij dimri në qarkun e Elbasanit. Banorët ankohen se nuk kanë pasur asnjë ndihmë pasi kanë humbur gjithçka nga egërsia e natyrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›