Eurot false, arrestohet i dyshuari i fundit
Hazir Maçi, i dyshuar si një nga drejtuesit e grupit, u kap nga njësia operacionale, jo shumë larg vendit ku banonte
TIRANË- Arrestohet nga policia e kryeqytetit personi i 14 i dyshuar si i përfshirë në grupin kriminal të hedhjes në treg të kartmonedhave të falsfikuara të mbërritura nga Bullgaria. Hazir Maçi, rreth 33 vjeç, me banim në kryeqytet, u arrestua dje paradite nga Njësia e Operacionale e Drejtorisë së Policisë së Tiranës në vijim të operacionit të kryer tri ditë më parë në kryeqytet pranë stradiumit "Qemal Stafa", ku u bllokuan 75 mijë euro false. Lajmi u bë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët pohuan se Maçi u arrestua me akuzën e hedhjes në treg të kartmonedhave të falsifikuara të sjella nga Bullgaria nëpërmjet territorit maqedonas. Operacioni i arrestimit të Maçit, u krye dje gjatë orëve të paradites në qendër të kryeqytetit, pranë një kompleksi të ri banimi. Sipas burimeve të policisë, i arrestuari i djeshëm, u ndalua jo vetëm si një nga personat e dyshuar si të përfshirë në rrjetin e futjes dhe të hedhjes në qarkullim të kartmonedhave të falsifikuara, por edhe si pjesë e personave që drejtonin këtë grup kriminal. Burimet e policisë pohuan dje për "Shekullin", se Maçi u ndalua jo shumë larg nga vendi ku ai kishte marrë një shtëpi me qera prej disa muajsh. Hetuesit pohojnë se nga përgjimet e kryera, vëzhgimet dhe veprimet e tjera hetimore të kryera nga oficerët e policisë dhe nga prokuroria është mundur të provohet në disa raste përfshirja e Maçit, në grupin e personave të arrestuar. Ndërkaq, gjatë kontrollit të banesës së kryer nga efektivët e policisë me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit, nuk janë gjetur sende apo prova të ndryshme që sipas policisë mund të ndihmonin hetimin. Të enjten e javës që sapo u mbyll, policia e kryeqytetit, në operacionin e koduar "Graniti" bllokuan një sasi prej 75 mijë eurosh false, në dy vende të ndryshme ndërsa arrestuan 13 persona nga Shqipëria Maqedonia dhe Kosova, të gjithë me kombësi shqiptare dhe me banim në Tiranë. Një pjesë e parave, ishin të një cilësie të mirë ndërsa pjesa tjetër e një cilësie më të dobët. Sasia e e kartmonedhave false, mendohet se ka ardhur nga Bullgaria, ku mendohet se edhe mund të jenë falsifikuar.