E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grante për bashkitë, BE jep 1.2 mln euro për shoqërinë civil, Gonzato: pjesë e një programi më të gjerë për përfshirjen sociale

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri prezantuan 12 projekte të zbatuara nga 12 organizata të shoqërisë civile për të përmirësuar shërbimet e punësimit dhe zhvillimin e aftësive për grupet në nevojë në 19 bashki në Shqipëri.

Të financuara në kuadër të projektit BE për Përfshirjen në Tregun e Punës (EU4LMI), këto grante synojnë të rrisin punësimin dhe zhvillimin e aftësive për grupet që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim, nënat e reja, komunitetet rome dhe egjiptiane, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës ekonomike.

Ceremonia u mbajt në Shkollën Teknike Profesionale në Korçë, ku të pranishëm ishin Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis dhe Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

“Me këto grante të financuara nga BE-ja, ne po kthejmë politikat në praktikë, duke u ofruar mundësi reale njerëzve në rrezik përjashtimi për të fituar aftësi, për të gjetur punë dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë. Kjo nismë është pjesë e një programi më të gjerë prej 70 milionë eurosh të asistencës së BE-së për përfshirjen sociale në Shqipëri, duke mbështetur qeverinë për të çuar përpara reformat në sektorin social dhe për t’u përshtatur me kërkesat e anëtarësimit në BE, veçanërisht Kapitullin 19 mbi politikën sociale dhe punësimin. Sepse integrimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me harmonizimin e ligjeve – ka të bëjë me ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse, ku askush nuk mbetet pas”, tha Gonzato.

“UNDP-ja është krenare për partneritetin me Bashkimin Evropian në këtë ndërhyrje strategjike. Këto projekte do t’i fuqizojnë grupet vulnerabël me akses më të mirë në tregun e punës”, tha Randi Davis, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Shqipëri.

Skema e granteve prej 1.2 milionë euro, që koordinohet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në Shqipëri, do të ofrojë shërbime sipas nevojave gjatë 16 muajve të ardhshëm, duke u fokusuar në tre drejtime: Këshillim Intensiv për Punësim; Trajnim për Aftësi Bazë; Punësim me Mbështetje dhe Zhvillimi i Aftësive për Personat me Aftësi të Kufizuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›