E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë e FA mesazh sensibilizues për Tetorin Rozë: Kujdesuni për shëndetin dhe bëni kontrollet në kohë

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Tetori Rozë është muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për kancerin e gjirit, i cili synon të rrisë vëmendjen për diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet një videomesazh sensibilizues ku gratë dhe vajzat shqiptare ftohen t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit të tyre dhe të kryejnë kontrollet periodike.

Në mesazhin e tij, Rama u bën thirrje grave dhe vajzave të gjejnë pak kohë për veten “duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend”.

Pjesë e videomesazhit janë edhe efektive të Forcave të Armatosura, të cilat përcjellin mesazhe ndërgjegjësuese për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

“Si ushtarake e Forcave të Armatosura, këtë Tetor Rozë dua t’ju jap një mesazh sensibilizues për çdo vajzë dhe grua shqiptare. Kujdesi për jetën është një akt përgjegjësie dhe force. Përveç punës në uniformë, mos harroni të kujdeseni për shëndetin tuaj”, shprehet nëntogere Alida Bego.

Ndërsa kolonele Luli Florini përcolli një mesazh për të gjitha gratë që përballen me sëmundjen dhe familjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve në kohë.

“Për çdo grua që lufton në heshtje, për çdo familje që shpreson dhe për çdo jetë që mund të shpëtohet: Mos e harro veten, kujdesu për shëndetin tënd dhe bëj kontrollet në kohë”, thotë ajo.

Edhe tetare Xhulia Kurti u bën thirrje grave dhe vajzave që të mos e shtyjnë kontrollin për një moment tjetër.

“U bëj thirrje grave dhe vajzave që në këtë Tetor Rozë të gjejnë pak kohë për të kryer kontrollin periodik dhe mamografinë. Mos e lini për nesër kujdesin ndaj vetes”, tha tetare Xhulia Kurti.

Nëntogere Anxhela Gipsi theksoi rëndësinë e dashurisë për veten dhe të ndërgjegjësimit për shëndetin.

“Dashuri për veten, forcë për jetën dhe shpresë për çdo grua. Bashkohemi për ndërgjegjësim, parandalim dhe shpresë. Gjej një ditë gjatë këtij muaji për një kontroll jetësor, për ty, për familjen tënde, për ata që të duan”, tha ajo.

Ndërsa nëntogere Klea Bega përcjolli një mesazh të drejtpërdrejtë për gratë dhe vajzat “mos e neglizhoni shëndetin tuaj! Jemi të forta kur luftojmë për jetën”.

Gjatë muajit tetor zhvillohen në mbarë botën dhe në Tiranë aktivitete sensibilizuese dhe informuese. Fushata u drejtohet veçanërisht vajzave dhe grave, duke i nxitur ato t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të tyre si dhe të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›