Rama: Qendra e Provimeve të Oxford-it në dispozicion të rekrutimeve në administratë

TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Qendra e Provimeve të Oxford-it do të vihet në dispozicion të rekrutimeve në administratën publike.
I pranishëm në prezantimin e “Shkallës së Meritës”, Rama u ndal te transformimi i mënyrës se si ndodh rekrutimi dhe se si ndodh vlerësimi në administratën publike.
“Ne sot jemi në fazën kur po zbatojmë më në fund një projekt të jashtëzakonshëm i cili sjell Qendrën e Provimeve të Oxford-it si pjesë e Qendrës së Shërbimeve Arsimore të Shqipërisë. Gjithçka për sa i përket provimeve në sistemin tonë universitar, në sistemin tonë arsimor do të jetë njësoj siç bëhet në Qendrën e Provimit të Oxford-it. Tani përmes Qendrës së Shërbimeve Arsimore ne do ta vëmë në dispozicion të rekrutimeve në administratë dhe të testimeve të karrierës në administratë”, bëri të ditur Kryeministri.
Kjo, sipas tij, “do të bëjë që të arrijmë edhe në këtë aspekt atë që arritëm kohë më parë me universitet”.
“E mbajnë mend që ishte një hall i madh futja në universitet, sepse nuk kishte absolutisht asnjë respekt për meritën, por ishte një turravrap. Kush ia kalonte tjetrit me shtytje nga mbrapa, me miq, me parti, me para. Ndërkohë për shumë vite provimet e universitetit janë provime pa ankesa. Në vitet që e pararendën atë reformë, ankesat për padrejtësitë ishin ulëritëse”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot ne kemi nevojë të shkojmë më tutje duke e përfshirë administratën në këtë proces.
/a.f/r.e/