Gratë e Trojës vihen në punë
Konsiderohet "vepër femërore" që kërkon angazhimin e një numri të madh aktoresh. Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Eftjola Laçka, Eneida Xhelili, Loredana Gjeçi, janë disa nga aktoret që interpretojnë në tragjedinë "Trojanet" të Euripidit, që prej një jave ka nisur punën në ambientet e Teatrit Kombëtar. Dje, në një konferencë për shtyp, regjisori grek Vangelis Theodoropoulos, u shpreh i kënaqur që ka tërhequr për veprën e tij "ajkën" e aktoreve shqiptare, sipas të tij "të zonja dhe të bukura". Kësaj liste femërore i shtohen edhe aktorët Gulielm Radoja, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi, si dhe disa vajza të tjera të përzgjedhura nga audicionet në Akademinë e Arteve.
Theodoropoulos shprehu sërish kënaqësinë që po bashkëpunon me Teatrin Kombëtar dhe që do të ngjisë në skenën antike të Butrintit tragjedinë "Trojanet". "Preferova të fillonim punën për "Trojanet" e Euripidit sepse mendoj që është një vepër me të cilën popujt e Ballkanit mund të komunikojnë. Flet për barbarizmin e luftës dhe për emigracionin që ju dhe ne e kemi jetuar në lëkurën tonë prej vitesh. Familja ime e ka origjinën nga Azia e Vogël dhe Stambolli dhe vepra e parë që bëra në Greqi kur themelova teatrin tim. Ishte një shfaqje që bazohej në rrëfime grash mbi shkatërrimin e Azisë së Vogël dhe për emigrantët që u vendosën në Greqi", - thotë regjisori grek, teksa shton se kishte gati 10 vjet që mendonte për "Trojanet".
Ka një javë që ka nisur punën në Tiranë dhe regjisori grek vlerëson tek aktorët dëshirën për të punuar mbi këtë tragjedi, po edhe një lloj "pafajësie" që i duket pozitive. Premiera është më 17 korrik në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit "Butrinti 2000".