Lef Nosi fton Fan Nolin kompozitor
Homazh ministrit të parë të Postë-Telegrafave me koncertin e duos Kosturi-Ciko. Ekzekutohen për herë të parë një sonatë e Fan Nolit e kompozuar më 1937
Koncerti i duos Kosturi-Ciko e nderon Lef Nosin si Ministër i parë i Postë-Telegrafave. Është iniciativë e shoqatës "Bota e Artit" dhe mbështetet nga Posta Shqiptare. Më 9 maj, ora 19.00, në sallën e Akademisë së Arteve, koncert instrumental i violinistes Ina Kosturi dhe pianistes Rudina Ciko, përveç interpretimit të veprave të repertorit klasik, sonatave të Brahmsit, Shumanit, sjell tingujt e veprave të vjetra shqiptare për violinë e piano, që interpretohen për herë të parë. Premierë absolute vjen në këtë skenë sonata e Fan Nolit për violinë e piano, e kompozuar më 1937 dhe një tjetër pjesë që mban emrin e një personaliteti të shquar të botës muzikore shqiptare Thoma Nasi, e titulluar "Fyelli i bariut". Sonata e Nolit është përzgjedhur për faktin e miqësisë së ngushtë të këtyre patriotëve të shquar.
I lindur në Elbasan më 9 prill 1877, Lef Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Formimi i shëndoshë intelektual dhe atdheu i tij, qenë shtysat që Nosi të fitonte rolin e merituar të një protagonisti në ngjarjet e stuhishme, që pararendën ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Më 1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit "Vllaznia" në Elbasan, dhe në të njëjtin vit themeloi shoqërinë "Afërdita", ndërsa një vit më vonë, botoi gazetën "Tomorri". Ai ishte një nga figurat qendrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Ishte nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit, krijuesi i filatelisë shqiptare, Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në periudhën e Qeverisë së Fan Nolit. Botoi gazetën "Tomorri", krijoi shoqërinë "Afërdita", letërkëmbimet me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë dhe historisë. Iu përkushtua gjurmimit të dokumenteve historike, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike, u shqua si arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog etj. Botoi fletoren "Dokumenta historikë" dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25- vjetorit të asaj ngjarjeje
Në tetorin e vitit 1943, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, për shkakun e të cilës u quajt "kolaboracionist", gjë që u shfrytëzua nga pushteti i pasluftës, nga regjimi komunist që e ekzekutoi me pushkatim më 1946.
Lef Nosi është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" dhe është shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit.