Gratë e burgut shijojnë humorin te “Salla e banjës”
Dje miq të Teatrit Kombëtar kanë qenë gratë edhe vajzat e burgut të kryeqytetit. Nën masa të larta sigurie rreth 20-30 gra të burgut 325 janë shoqëruar në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar për të ndjekur komedinë “Salla e banjës”, me regji të Inis Gjonit. Komedia është shfaqur në orën 11.00 të paradites së djeshme dhe gratë e kanë shijuar atë edhe nën shoqërinë e artisteve të skenës, aktores Margarita Xhepa dhe këngëtares Myfarete Laze. Pjesa më e madhe e tyre në fakt nuk kishte shkelur kurrë në një sallë teatri dhe ulja në ato karrige ishte një eksperiencë shumë emocionuese. Ato nuk donin të fotografoheshin, pasi thjesht kishin ardhur për të parë një shfaqje, që siç shprehet njëra prej tyre “u kishin thënë se ishte e bukur dhe që flet për gratë” e që për më tepër ishte vënë në skenë nga Inis Gjoni. “Salla e Banjës” u dha premierën pak ditë më parë. Aty 5 gra që interpretohen nga Hajrie Rondo, Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Niada Saliasi i rrëfejnë spektatorit botën e brendshme dhe të fshehtat e tyre.