Një amazonë në Bylis
Shtatorja e gjetur pak ditë më parë në Bylis i përket një amazone, një femër luftëtare e njohur në mitologjinë antike. Kështu kanë konkluduar specialistët e Parkut Arkeologjik të Bylisit, pas studimeve të para që i kanë bërë shtatores së zbuluar krejt rastësisht. Në takimin e zhvilluar dje në Parkun arkeologjik ku ishte i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, dhe drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, janë zbuluar edhe detajet rreth statujës së amazonës së Bylisit. “Përpara disa ditësh këtu në Bylis u gjet një shtatore antike e cila mendohet t’i përkasë një amazone. Gjendja e saj është relativisht e mirë, gërmimet arkeologjike do të përqendrohen pranë vendit ku u zbulua, me qëllim gjetjen e pjesëve të tjera të saj, që potencialisht mund të jenë aty pranë.”- deklaroi ministri Xhaferaj, pas takimit që zhvilloi me arkeologët shqiptarë të Parkut të Bylisit. Por ndërkohë, për specialistët arkeologë do të duhet akoma punë kërkimore për të zbuluar të gjitha detajet rreth statujës. Arkeologët kanë shumë për të zbuluar atë çfarë është fshehur nën qytetin antik të Bylisit, pasi duhet të fillojnë kërkimet edhe për gjetjen e kokës së amazonës, që mendohet të jetë pranë vendit ku u gjet edhe statuja.
“Do të punohet në vijimësi, në mënyrë që të përcaktojmë të gjitha detajet e tjera rreth shtatores së gjetur, ajo që mund të them unë si ministër është se një tjetër objekt me vlera historike dhe artistike i është shtuar koleksionit madhështor të gjetjeve nga ky qytet antik.”- përfundoi ministri Xhaferaj, duke premtuar mbështetje për gërmimet arkeologjike jo vetëm në këtë sit por në gjithë Shqipërinë. Me sa duket, “modelja” e artistit që e ka gdhendur ka qenë një amazonë.
Rastësia që zbuloi luftëtaren
Ka qenë thjesht rastësia ajo që ka nxjerrë në sipërfaqe shtatoren e rrallë, që sipas të dhënave më të fundit duket se i përket një femre luftëtare. Zbulimin këtë radhë nuk e ka bërë ekspedita shqiptaro-franceze, e cila prej disa vitesh bën gërmime rreth Parkut arkeologjik të Bylisit, por punëtorët e një firme private që po punonin për rikonstruksionin e rrugës hyrëse që të çon në Parkun Arkeologjik. Punëtorët, pasi kanë hasur në objekt, kanë pezulluar menjëherë punën për shtrimin e rrugës dhe kanë lajmëruar drejtorin e Parkut arkeologjik të Bylisit, Bashkim Vreka. Sipas dhe vetë drejtorit të Parkut Arkeologjik të Bylisit, shtatorja është në gjendje të mirë dhe ka përbërje guri gëlqeror. Në fakt shtatorja është e dëmtuar në njërën këmbë dhe është nxjerrë në sipërfaqe pa kokën dhe krahun e majtë të saj. Drejtori Vreka ka pohuar ndër të tjera se për këtë zbulim do të kryhen studimet përkatëse për të përcaktuar saktë periudhën së cilës ajo i përket, si dhe elementë të tjerë të saj që ende ndodhen nën tokë, si koka apo dhe pjesë të tjera të statujës që mungojnë. “Ky është një zbulim i rëndësisë së veçantë, që tregon se në të njëjtin vend mund të ketë edhe statuja të tjera të këtij lloji, duke përfshirë edhe kokën e shtatores së zbuluar”- tha drejtori Vreka. Ndërkohë që ekspedita shqiptaro-franceze do të rinisë nga puna sipas projekteve të miratuara disa ditë më parë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, më 1 maj. Ajo udhëhiqet nga Prof. Dr Skënder Muçaj dhe Shkolla Franceze e Athinës, e përfaqësuar nga Prof. P. Chevalier. Duhet theksuar që në këta dy vjet ky është zbulimi më i rëndësishëm i bërë në Parkun arkeologjik të Bylisit.