E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia në 3D në faqet e revistës franceze Archéologia

Parku Arkeologjik i Apolonisë zë kopertinën e revistës prestigjioze franceze Archéologia. Apolonia përshkruhet si një prej qyteteve antikë më të bukur në Ballkan dhe artikulli përshkruan gërmimet arkeologjike të viteve të fundit, sikurse edhe të rejat që kanë të bëjnë me rindërtimin 3D (tre dimensional) të monumenteve të tij. “Siti greko-romak i Apolonisë në Iliri mbi bregun e Adriatikut në Shqipëri, është një nga më të bukurit në Ballkan. Gërmimet që startojnë nga fillimi i shekullit XX zbuluan dalëngadalë mrekullitë e humbura në mes të kodrave dhe fushave të këtij parku turistik që ishte krejt i panjohur. Një ekip franko-shqiptar ka dekada që punon në këtë zonë arkeologjike. Studimet më të fundit thonë se ky park është potencialisht një nga pikat më prestigjioze arkeologjike.” - shkruan ndër të tjera E. Follain, autori i shkrimit që zë jo pak por 13 faqe të revistës. Në fakt, një hapësirë e konsiderueshme i është kushtuar jo vetëm rindërtimit të kësaj zonë arkeologjike në 3D, por të gjitha monumenteve të kulturës që janë në këtë zonë. “Turne virtual i Ilirisë në Apoloni, prezanton shkëlqimin e monumenteve të saj” - thuhet në revistë, ndërkohë që paraqet pamjet 3D të monumenteve të Parkut arkeologjik të Apolonisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›