E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë kërkojnë pushim më të gjatë lehonie

Në një tryezë të organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” dhe Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, gra - deputete të Parlamentit të Kosovës kanë bërë vërejtje për pushimin e shkurtër të lehonisë, prej vetëm 12 javësh, sa parashihet me Projektligjin e Punës, i cili pritet të dalë së shpejti para Parlamentit.

Në tryezën me temën “Projektligji i Punës”, deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Suzana Novobërdaliu shprehur mospajtime me nenin 48 të këtij projektligji, i cili përcakton pushimin e lehonisë prej 12 javësh. Ato kërkuan që pushimi për lehonat të zgjasë një vit.

Neni 48 përcakton që femra e punësuar në Kosovë, gëzon të drejtën për 12 javë të pushimit të paguar të lehonisë, e cila periudhë përfshinë 6 javë të pushimit të detyrueshëm nga dita e lindjes.

Mirëpo kjo sipas të pranishmëve në tryezën e organizuara me këtë temë nga Fondacioni "Friedrich Ebert" dhe Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, është vlerësuar si e papranueshme, sepse me këtë ligj femrës i jepen vetëm dy mundësi, ose t’i kushtohet vetëm punës dhe karrierës, ose të lind dhe të rrisë fëmijët e saj, sepse pushimi i përcaktuar me këtë projektligj nuk lë mundësi të tjera.

Donika Kadaj – Bujupi, deputete në Parlamentin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ka një vit që grupi i grave të partive të ndryshme në Kuvend kanë amandamentuar nenin 48 duke kërkuar që pushimi i lehonisë të jetë 9 plus 3 muaj, ashtu sikurse edhe në vendet e rajonit, raporton KosovaPress.

Edhe Suzana Novobërdaliu, deputete e Parlamentit të Kosovës nga Aleanca Kosova e Re, tha se me këtë projektligj femra kosovare po diskriminohet në çdo aspekt dhe se në çdo mënyrë duhet që ky pushim të zgjatet më shumë.

Besa Luzha, drejtoreshë ekzekutive e Friedrich Ebert Stiftung, ka thënë se organizimi i kësaj tryeze është bërë që të merret mendimi i grave nga radhët e shoqërisë civile para se ligji i punës të shkojë në parlament, pasi që ato konsiderojnë se me këtë projektligj pushimi i përcaktuar është shumë i shkurtër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›