E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë socialiste shpërndajnë dhurata në familjet e viktimave të Gërdecit

Tiranë- Forumi i Gruas Socialiste ka shpërndarë ndihma ushqimore për disa nga familjet që ndodhen më në vështirësi ekonomike dje në Gërdec të Tiranës.

Kryetarja Olta Xhaçka si dhe kryetarja e FGS për Vorën kanë shkuar në Gërdec ku ‘janë ndalur në disa familje që përveç vështirësive të mëdha ekonomike vazhdojnë të përjetojnë dramën e humbjes së njerëzve të tyre më të dashur në shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008′.

“Anëtaret e Forumit të Gruas Socialiste kanë vizituar fillimisht familjen e Zamira Durdës, e cila prej gati 5 vjetësh vazhdon të endet dyerve të gjykatave për të kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të saj 6-vjeçar, Edisonit. Kryetarja e FGS, Olta Xhaçka e ka siguruar zonjën Durda për mbështetjen e plotë të Partisë Socialiste dhe vendosmërinë e kësaj force politike për të zbardhur plotësisht shpërthimin tragjik të Gërdecit dhe vënien përpara drejtësisë së përgjegjësve të saj.

Më tej gratë socialiste janë ndalur në familjen e Tushe Osmanit, 50-vjeçares që me vetëvrasjen e saj pak kohë më parë e çoi në 28 numrin e viktimave të kësaj tragjedie të rëndë, të shkaktuar si rezultat i korrupsionit shtetëror të një qeverie te papërgjegjshme. Tushe Osmani i dha fund jetës pas vdekjes së të bijës, Resmies 19-vjeçare, nga shpërthimi i 15 marsit dhe vetëvrasjes së bashkëshortit, Kujtimit, në vitin 2009. Gjendja e vështirë ekonomike i kishte detyruar bashkëshortët Osmani që të apelonin disa herë për ndihmë, por thirrjet e tyre duket se kanë rënë në veshin e shurdhër të qeverisë, që jeton në një realitet tjetër nga ai i shqiptarëve të zakonshëm.

Anëtaret e FGS kanë vizituar edhe disa familje të tjera që përveçse kanë humbur të afërmit e tyre në shpërthimin e 15 marsit 2008 përjetojnë sot vështirësi të mëdha ekonomike, të harruar krejtësisht nga qeveria. Olta Xhaçka është shprehur se ndihmat e shpërndara për këto familje kanë synuar të lehtësojnë sa do pak gjendjen e tyre në prag të festës tradicionale të ndërrimit të viteve”,-njoftoi PS-ja.

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›