Grekët: Ironizojnë me telashet e veta

Slogan aktual i artistit, Giogos Georgakopoulos, është: "Art i madh me pak para". Ai dikur studio menaxhmentin kulturor në Gjermani, në qytetin Braunschweig, ndërsa tani konsiderohet ndër themeluesit e lëvizjes Cheap Art (Art i Lirë), i cili në Greqi është më aktual se kurrë më parë.
Që prejse Greqia është përfshirë nga kriza ekonomike, numrin vizitorëve në ekspozitën e tij të rregullt vjetore ‘Cheap Art’ është dyfishuar.
Ekspansion i Artit të Lirë
Vetëm në vitin 2011, Georgakopoulos ka shitur më shumë se 2,000 vepra artistike, me çmim prej 80 eurosh. Ideja për organizmin e panairit ‘Cheap Art’ doli aq e suksesshme saqë ai mendon ta zgjerojë edhe në tregun holandez dhe qipriot.
Kur u kthye në Greqi, problemet më të mëdha Georgakopoulos i pati me mentalitetin grek, pjesë e të cilit ishte edhe mosbesimi i vetë artistëve.
"Shumica a artistëve kishte frikë se dikush do të shfrytëzonte kreativitetin dhe pasionin e tyre për artin. Shumë nga ta po ashtu mendojnë se një vepër artistike që ofrohet në shitje për pak para, edhe nuk vlen më tepër”, tregon Georgakopoulos.
Gjithë kësaj duhet shtuar edhe mosbesimin e thellë të artistëve grekë ndaj galeristëve, i cili shkon aq larg saqë artistët nuk i lejojnë galeristëve që të hyjnë nëpër atelietë e tyre. Mirëpo barriera tashmë është thyer, dhe Georgakopoulos sot është shndërruar në një yll të skenës artistike greke. Projekt i tij i fundit mban emër gjerman "Schadenfreude" (Gëzimi për Fatkeqësinë e Tjetërkujt).
Por, siç thekson Georgakopoulos, ky term gjerman nuk aludon në marrëdhëniet e tensionuara greko-gjermane të kohëve të fundit, por për shënjestër ka përhapjen globale të të menduarit të tillë (si term, "Schadenfreude" tashmë përdoret gjerë edhe në zonat anglishtfolëse), dhe largimin gjithnjë e më të madh të artit nga shoqëria. Veç kësaj, ky term, sipas Georgakopoulos, përmes përmbajtjes paksa absurde humoristike e përshkruan për mrekulli gjendjen e sotme në Greqi.
Peizazhe absurde
Në këtë mënyrë Georgakopoulos, mbase edhe pa dashje, ka iniciuar një dilemë tjetër që lidhet me gjendjen aktuale të kombit grek: A guxohet që tragjedia e tanishme greke të komentohet nëpërmjet humorit?
Para kësaj dileme duket se është gjetur edhe fotografi nga Athina, Panos Kokkinias, i cili njihet ndërkombëtarisht si një mjeshtër i të ashtuquajturës fotografi të inskenuar. Me veprat e ekspozuara në ekspozitën e tij të fundit, në Athinë,Kokkinias i kthehet telasheve të përditshme të grekëve modern (por, pa ironizuar me to).
Motivet e tij absurde (sikurse që është rasti me fotografinë e tij, në të cilën shuhet një grup grekësh derisa të armatosur me flamuj vrapojnë pas një veture, në mes të një peizazhi të shkretë, ose me fotografinë që tregon një biznesmen grek duke u fundosur në det) në njëfarë mënyre pasqyrojnë situatën në të cilën Greqia ndodhet sot. E, kjo sigurisht se është një situatë daljen nga e cila shumëkush e sheh me ikje jashtë vendit.
Dikur, Kokkinias ishte kthyer në Greqi nga SHBA’të, ku deri atëherë, siç tregon, çonte “një jetë shumë solide”. Por, ja që atëherë i mungonin dielli dhe mentaliteti grek. Sot i ka që të dyja, por mendon që bashkë me familjen të shpërngulet drejt Gjermanisë, “për shkak të fëmijëve”, gjegjësisht “për shkak të së ardhmes së tyre”. DW