Grekët, në shesh kundër shkurtimeve të reja
Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur dje në qendër të Athinës dhe qytete të tjera të Greqisë, me rastin e ditës së 1 Majit, të acaruar dhe zemëruar nga njoftimi për ndërmarrjen e masave të reja të shkurtimeve në financat e sektorit publik. Sipas qeverisë, masa të tilla janë të domosdoshme për të shpëtuar Greqinë nga falimentimi. Planet e ardhshme të qeverisë kanë të bëjnë me shkurtime të shpenzimeve deri në vitin 2012, në mënyrë që të shtohen shpresat e përfitimit të një pakete të ndihmës financiare prej 45 miliardë eurosh vetëm për këtë vit, që Athina e pret nga FMN dhe Bashkimi Europian. Sot në mëngjes, kabineti qeveritar do të mblidhet për të fiksuar masat dhe në fillim të javës ato do të bëhen publike për të gjithë. FMN dhe BE kanë deklaruar se negociatat me Athinën do të vazhdojnë dhe se shumë shpejt do të arrihet në një përfundim. Ministrja franceze e Financave, pas një takimi me zyrtarë të qeverisë franceze dje, tha se kishte besim që ministrat e Financës së BE-së do të aprovonin paketën brenda pak ditësh. Qeveritë e BE-së janë duke diskutuar një paketë të plotë për një periudhë trevjeçare prej 120 miliardë eurosh. Ndërkaq, masat shtesë të shkurtimeve do të përfshijnë shtimin e taksave të konsumit, do të shtojnë moshën e daljes në pension dhe do të ngrijnë të gjitha pagat e sektorit publik për një periudhë prej tre vitesh. Sindikatat, të inatosura nga një perspektivë e tillë, që vjen pas masave të para që u morën një muaj më parë dhe që për Greqinë ishin të ashpra, kanë organizuar dje takime në shumë zona të Greqisë. “Këto nuk janë masa, janë vdekje. Si do të mund të jetojnë tani njerëzit, këtë nuk e kuptoj”, thotë një nga pjesëmarrësit në protesta. Në Athinë, forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë demonstruesit. Përplasjet më të mëdha kanë ndodhur para Ministrisë së Financave dhe godinës së televizionit shtetëror. Protestuesit kanë hedhur parullat: “FMN dhe BE, larg duart nga Athina” e të tjera si këto. Sipas shumë personave, plani i qeverisë për të bërë shkurtime të mëtejshme, konsiderohet si sulmi më i madh që i është bërë punëtorëve në Greqi për shekuj të tërë. “Ata duan që të na kthejnë në shekullin e 19 dhe kjo nuk do të jetë një betejë, por një luftë që do të zgjasë për muaj dhe vite”. Protesta ka pasur edhe në qendër të Selanikut, ku të rinjtë kanë sulmuar një bankë dhe disa biznese. Ndaj masave të reja ka një rezistencë shumë të madhe të njerëzve. Sindikatat shpresojnë që protestat të arrijnë që t’i përcjellin FMN-së, Eurozonës dhe tregjeve ndërkombëtare se populli do të dijë që t’i kundërvihet masave të reja.
#