Agron Llakaj: Një Mjeshtër i Madh në përvjetorin e lindjes
Rreth një javë më parë, Agron Llakaj, aktori i njohur i humorit festoi në skenën e “Portokallisë” 50-vjetorin e lindjes mes duartrokitjeve të publikut e kolegëve e bashkëpunëtorëve. Pak ditë më vonë, në një ceremoni zyrtare, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i dorëzoi urdhrin “Mjeshtër i Madh” të cilin në këtë intervistë për gazetën “Shqip”, artisti e konsideron si një shtysë për krijimtarinë e tij, për të punuar më shumë, e për të dhuruar akoma më shumë humor për publikun.
Mes duartrokitjeve të publikut, mes kolegëve e aktorëve të humorit, e mbi të gjitha në skenë... kështu e ka festuar aktori i humorit 50-vjetorin e lindjes rreth një javë më parë. Emocionet e dukshme të tij, i shtonin edhe më shumë bukurinë ngjarjes e cila u kurorëzua pak ditë më vonë me një tjetër dhuratë. Një vlerësim zyrtar. Me motivacionin “Për kontribut të shquar dhe nivel të lartë interpretativ në krijimin e shumë personazheve artistike të realitetit shqiptar, të krijuara falë talentit dhe mjeshtërisë së spikatur të këtij autori”, Presidenti Bamir Topi e nderoi aktorin e njohur, drejtorin artistik, prezantuesin dhe moderatorin e spektaklit të humorit “Portokalli” në “Top Channel” me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Një vlerësim që për të, është një shtysë më shumë për të vazhduar përpara, për t’i dhënë akoma më shumë ngjyra krijimtarisë së tij artistike, për të qëndruar akoma më pranë publikut e për t’i falur edhe më shumë buzëqeshje në vazhdim...
Z. Llakaj, ditëlindjen tuaj të 50-të, e festuat në skenën e “Portokallisë”, mes duartrokitjeve të publikut e krah kolegëve tuaj. Si ndiheni?
Ka disa lloje festash e disa mënyra të festuari. Një ditëlindje, mund ta festosh mes miqve e të afërmve, por të festosh edhe mes atyre që prej vitesh ke ndarë skenën e suksesin, e njëkohësisht edhe me publikun e sallës dhe spektatorin që ndjek përmes ekranit. Nuk besoj se mund të ketë përjetim më të bukur. Unë si natyrë nuk i festoj ditëlindjet, të paktën që pasi mbusha 30 vjeç. Mendoj se është një pjesë që i takon më shumë rinisë. Ajo rritet, ndreqet, kërkon të mbërrijë drejt realizimit të ëndrrave. Një njeri në moshë të rritur jo se nuk ka ëndrra, por e ka ndërtuar trasenë e jetës. Pra unë mendoj se për kohën, moshën, vendin ku ndodhemi jemi më shumë të motivuar të lëmë të festojnë ata që janë më të rinj. Përjetimi më i mirë në këtë përvjetor ka qenë se jam ndier shumë mirë shpirtërisht, sepse e festova me një trupë si ajo e “Portokallisë”.
Veç të tjerave, si një dhuratë për këtë përvjetor, erdhi për ju edhe urdhri “Mjeshtër i madh” me të cilin janë nderuar edhe shumë personalitete të kulturës shqiptare. Si e pritët?
Më erdhi mirë që përpos ditëlindjes, në shenjë falënderimi, konsiderate e respekti m’u dha edhe titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Por sinqerisht, një mirënjohje të madhe ia kushtoj njeriut që krijoi jo vetëm televizionin “Top Channel”, por edhe ideatorit e themeluesit të “Portokallisë”, Presidentit të ndjerë, Dritan Hoxha. Me të vërtetë, me përulje e respekt, ashtu sikundër e përmenda edhe gjatë marrjes së urdhrit, unë gjithmonë kam menduar se artisti me profesionin e tij është si skulptori që gdhend dhe ////////////laton personalitetin e tij artistik. Dhe unë me të gjithë bashkëpunëtorët e mi, jam gdhendur ky që jam sot. Më pëlqen që gjithë këtë gëzim ta ndaj me ta. Në “Portokalli” unë nuk u krijova si personalitet artistik, unë erdha dhe jam pjesë e kontributit të realizimit të krijimit të këtij spektakli i cili tashmë ka marrë përmasat e një akademie kombëtare të humorit. Po flasim për një spektakël që ka lënë gjurmë të mëdha në humorin shqiptar, por realisht duhet pranuar se unë këtu jam rritur profesionalisht, jam kornizuar artistikisht. Si për në përvjetor të ditëlindjes, ashtu edhe në marrjen e urdhrit “Mjeshtër i Madh”, isha i rrethuar pranë njerëzve të mi më të afërt, me njerëzit më të shtrenjtë, pikërisht me ata i ndava gëzimet. Kur kthej kokën mbrapa sigurisht që vështirësitë kanë qenë mjaft të mëdha, por pa mbështetjen e familjes nuk do isha ky që jam, nuk do isha as Agroni i “Portokallisë”, e nuk do e kisha fituar dot as titullin që miqtë e mi e propozuan në 50-vjetorin tim të lindjes.
Për një artist, të tilla vlerësim zyrtare, po i quaj kështu a janë të rëndësishme, apo ka të tjera vlerësime që kanë më shumë rëndësi?
Në përgjithësi unë mendoj se të tilla vlerësime janë shenjë respekti dhe mirënjohjeje. Si artist, unë asnjëherë nuk jam udhëhequr nga titujt, për arsyen e thjeshtë se qëllimi im nuk ka qenë vetëm të bëhem një njeri publik. Por unë e dashuroj humorin, është pjesë e jetës sime dhe mendoj që edhe humori duhet të ma kthejë me të njëjtën monedhë. Kam pasur alternativa të tilla në jetë që edhe mund të largohesha nga bota e humorit, sepse niveli ekonomik i kohës, mënyra se si kemi ardhur deri këtu, (nga nëntoka po e quaj figurativisht, gjendem në majën e artit në Shqipëri) më bëjnë të mendoj se për mua vlerësimi më i madh ka qenë mirëqenia ekonomike në mënyrë që fëmijët e mi të shkollohen, të jenë normalë me të tjerët... Unë besoj se brenda artistit është ngjizur edhe njeriu. Unë e dashuroj artin, por mes tij dhe familjes dihet që kjo e fundit vjen e para. Në radhë të parë jam Agroni, babai i dy fëmijëve, gjyshi i një mbese, pastaj vjen artisti. Vlerësimi që m’u bë mua në këtë moshë, në këtë kohë, është sigurisht një motivim më shumë. Se duhet kuptuar që artisti që të jetë gjithmonë i freskët duhet të punojë shumë, por edhe duhet të ndryshojë shumë.
E në fakt, ju keni një karrierë të gjatë artistike. Ku e gjeni forcën për të krijuar e për të ardhur gjithnjë ndryshe në skenë?
E thashë edhe pak më parë, unë e dashuroj humorin dhe humori duhet të ma kthejë me të njëjtën monedhë. Humori është si një oqean ku ka vend për të gjithë llojet e peshqve. Ne kemi fatin që jeta sociale në Shqipëri të na furnizojë edhe me një mori karakteresh. Problemet e shqetësimet, vijnë përmes tyre të trajtuara në mënyrë komike duke përcjellë mbi të gjitha edhe një mesazh. Veç investimit artistik, mua më pëlqen të flas edhe për një pjesë tjetër, për një investim që unë e quaj jo artistik, por qytetar. Mendoj që humori, në këtë rast “Portokallia” prej shtatë vitesh ekzistencë është një investim i madh qytetar për të ndërgjegjësuar njerëzit të kuptojnë se shumë e rëndësishme është familja, personi dhe jo partia e politika. Pra përmes humorit të përcjellim mesazhe me qëndrime opozitare, por jo në kuptimin politik të fjalës, por si një oponencë ndaj një realiteti ekonomik, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft i hidhur për shqiptarët. Unë mendoj që përmes këtij humori që ne bëjmë, kemi arritur të skalitim në memorien e njerëzve edhe këtë lloj investimi qytetar të cilin unë e përmend shpesh edhe para publikut. Më vjen mirë që ndiqet po me aq dëshirë dhe vazhdoj të uroj që humori i “Portokallisë” të jetë si një pjesë e domosdoshme e tavolinës së një familjeje.
Si e prisni vijimin e udhës suaj artistike?
Gjithmonë që duhet të jem pjesë e rritjes dhe pjesë e një formimi. Duhet kuptuar që trasenë e asaj që quhet sukses unë tashmë e kam ndërtuar, tani më duhet të punoj akoma më shumë për ta ruajtur këtë sukses. Në momentin që e arrin suksesin është shumë bukur, por që ta ruash atë të duhet shumë punë. Por kështu është jeta, pa pasur këto emocione, këtë adrenalinë, nuk do të kishte vlerën që ka. Mendoj se kur punon nuk zhgënjehesh. Jam Agroni që gjithmonë synon të krijojë humor cilësor, qytetar. Unë besoj se kur niveli ekonomik dhe qytetar të rritet, ndoshta pas disa vitesh atëherë humori në shtëpitë e shqiptarëve do të jetë vetëm për t’u argëtuar e jo për të larguar stresin. E ndërkaq, pas shtatë vitesh në “Portokalli” duke qëndruar brenda procesit të riformatimit e rikonceptimit, mendoj se tani ka ardhur koha e momenti, që edhe Portokallia të bëjë ndryshimet e veta.
Para disa kohësh, njëri prej personazheve që ju prej vitesh e imitoni, Kryeministri Sali Berisha ka propozuar ngritjen e një Teatri Kombëtar të Humorit. Si e vlerësoni ju këtë ide?
Nuk jam i idesë për ngritjen e një Teatri Kombëtar të Humorit. Nëse Kryeministri e ka seriozisht këtë ide dhe mendon se humori është pjesë e domosdoshme për një shoqëri, atëherë duhet me patjetër që ta rajonalizojë të paktën, të mos mbetet vetëm në kuadrin e një teatri me qendër në Tiranë. E përse duhet ta ketë këtë luks vetëm kryeqyteti? Përse të mos e ketë edhe Shkodra, Durrësi, Vlora, por edhe Gjirokastra, Korça? Do ishte mirë të ngrihen të tilla trupa kudo ku është e nevojshme e ku ka ekzistuar edhe më parë një traditë e humorit.
Duke qenë se jeni gjithnjë në linjë me çfarë ndodh në realitetin shqiptar, sipas jush, sot njerëzit qeshin më shumë apo më pak?
Duke prekur anën sociale të ngjarjeve nuk është se ne rregullojmë gjërat, të kuptohemi. Në mënyrën tonë artistike ne trokasim aty ku dëgjohemi dhe u themi se nuk është mirë kështu, ose kështu është keq. Ne mundohemi të jemi zëri i pamundur i atyre qindra e miliona njerëzve, zë që del nga goja e Agronit apo e një personazhi tjetër. Ky ka qenë dhe është qëllimi ynë në raport me këtë realitet.
#