Klinton, e munguara e madhe e Time 100
Këtë herë, të paktën për listën e këtij viti, gra të tjera kanë më shumë ndikim se zonja Klinton, përfshi këtu edhe ekstravaganten Lady Gaga. Ky është verdikti i ashpër i revistës së famshme, e cila ka vite që bën këtë renditje dhe këtë radhë, vendosi që të linte jashtë sekretaren e Shtetit. Megjithatë kjo listë e fundit shënoi një rekord për sa i përket numrit të grave që janë përfshirë në të gjithsej: 31. Bëhet fjalë për individë, idetë dhe veprimet e të cilëve ndihmojnë më shumë për të formëzuar botën. Emri i zonjës Klinton nuk ishte përfshirë në listën, në të cilën, ndërkohë janë futur 25 liderë e politikëbërës. E ndërkohë, në të nuk mungojnë tashmë i kudondodhuri Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, Sarah Palin, ish-kandidatja për postin e zëvendëspresidentes në fushatën e fundit presidenciale në SHBA dhe madje në të ndodhej edhe vetë bashkëshorti i Hilarit, ish-presidenti Bill Klinton. Kjo mungesë nuk kaloi pa rënë në sy, edhe për faktin se ajo ka qenë e pranishme në pesë renditjet e fundit, madje edhe gjatë periudhave jo shumë të rëndësishme të karrierës së saj. Ndërkohë që tani ndodhet në një post shumë të rëndësishëm dhe ka pasur një axhendë shumë aktive. Vetëm gjatë këtij viti, ka kryer gjithsej 11 udhëtime pune dhe ka qenë një nga arkitektet e marrëveshjes “Start”, për reduktimin e armëve bërthamore, e cila u nënshkrua nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, në fillim të këtij muaji në Pragë.
Lista e “Time” për 100 personat më me influencë në botë përpilohet dhe botohet çdo vit, në fund të muajit prill, që nga viti 1999 dhe hartohet nga një panel i stafit editorial të revistës, edhe pse në këtë rast kemi edhe një kombinim me një sondazh “online” me lexuesit e abonuar të saj. Këtë vit, pjesë e listës ka qenë edhe lideri i opozitës iraniane, Mir Mousavi, i cili, pikërisht në sondazhin “online”, ka arritur që të grumbullojë 800 mijë veta në favor. Ndërkaq personat e parashikueshëm që në njëfarë mënyre dihej se nuk do t’i mungonin listës, ishin Ophra Winfrey, moderatorja e famshme e “talk show”-ve amerikanë, e cila ndodhet në këtë klasifikim për të shtatin vit rresht. Pa shumë dyshime, ishin edhe emrat e shefit të “Apple”, Steve Jobs dhe Presidenti brazilian, Luiz Inacio Da Silva, Presidenti amerikan, Barak Obama, i cili gjithashtu e ka këtë renditje për herë të pestë rresht. Ndërkohë kishte edhe kandidatë interesantë, si kampioni korean i kërcimit artistik në akull, Kim Yu-na dhe disa konservatorë amerikanë të famshëm si Gen Beck, Sarah Palin dhe Jenny Beth Martin një nga themelueset e lëvizjes “Tea party”.
Tashëm publikimi i kësaj liste është shndërruar në një ngjarje të përvitshme me një pritshmëri të lartë dhe me një ndikim jo të pakët në korridoret e pushtetit. Gjithçka nisi me një debat në një simpozium në Uashington, më 1 shkurt në vitin 1998 në një panel me gazetarë dhe historianë. Prej andej doli ideja e listës, e cila u publikua një vit më parë. Lista e parë në fakt ishte lista e 100 personave më me ndikim të shekullit të 20. Falë popullaritetit që pati revista që nga viti 2004, vendosi që listën ta publikonte një herë në vit. Në fakt nuk është një listë që jepet në formë çmimi, por është një listë që nxjerr në pah vetëm ata persona që janë duke bërë diçka me veprat dhe idetë e tyre për ta ndryshuar e bërë botën një vend më të mirë.
#