E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi/ Aksident, vdes emigranti shqiptar

Një aksident fatal ka ndodhur në një rrugë shtetërore të Haniasë në Greqi, ku ka mbetur viktimë një 29 vjeçar shqiptar, emigrant prej vitesh në vendin fqinj. Sipas hetimeve të policisë, ngjarja tragjike për emigrantin erdhi pasi ai u përpoq të shmangte përplasjen me në makinë e cila pësoi defekt të papritur, në ecje e sipër. Sipas agjensive të lajmeve, gjithçka ndodhi mbrëmjen e së hënës kur emigranti shqiptar 29 vjeçar, po udhëtonte me autoveturën e tij në drejtim të Haniasë, në rrugën shtetërore Rethimn-Hania. Ndërsa po udhëtonte në korsinë e tij, një automjet afrohet dhe në rrethana ende të paqarta pëson një defekt mekanik gjë që provokoi edhe daljen e makinës jashtë kontrollit. Po sipas policisë, i riu shqiptar, duke parë situatën që precipitonte, u përpoq të shmangë përplasjen dhe manovroi, por e pati të pamundur të shpëtonte jetën e tij, sepse u përplas me barrierat ndarëse të autostradës, duke gjetur vdekjen. Drejtuesi grek i makinës tjetër, nuk pësoi plagë të rënda, raportoi policia, e cila thirri në vendngjarje disa zjarrfikës pas zjarrit që shpërtheu, si dhe bëri të mundur nxjerrjen e trupit të emigrantit të vdekur. Policia sqaroi se 29-vjeçari, ishte emigrant i rregullt dhe prej disa vitesh jetonte në lokalitetin Kurna pranë rajonit Hania.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›