E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ND kryeson sondazhet, Venizelos epërsi ndaj Samaras

ATHINE - Sondazhet e fundit në Greqi përforcojnë faktin se në parlamentin e ri do të përfaqësohen 10 parti, ndërkohë që një shumicë prej 70-75% e të pyeturve, shprehen në favor të qeverisë së bashkëpunimit në mënyrë, që të bëhet ç’është e domosdoshme për qëndrimin e vendit në zonën e euros.

Sipas sondazheve, ND dhe PASOK kryesojnë, por me rezultatet më të ulëta për dekada të tëra, ndërsa 8 parti të tjera luftojnë për të kapur shumë vende, ose thjesht të hyjnë në parlament. Demokracia e Re (ND) ruan avantazh ndaj PASOK-ut, por me një mbështetje shumë më të ulët sesa në zgjedhje të tjera, ndërsa PASOK ka edhe më pak, pavarësisht ndryshimit të lidershipit.

Analistët e shpjegojnë këtë dukuri me faktin se votuesit e ND po tregohen më të kujdesshëm pas ndryshimit të politikave ekonomike të partisë së tyre, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë këtë parti përgjegjëse të përbashkët për ekonominë e dobët në vend. Ndërsa nga kampi socialist, përveç arsyeve të tjera, arrestimi i ish ministrit Akis Cohaxopulos për korrupsion, e ka ndalur paksa vrullin e mbështetjes për PASOK. Së bashku dy partitë e mëdha grumbullojnë rreth 45% të votave dhe më shumë se 170 vende në parlament, ndërsa liderët e tyre thonë se deri në zgjedhje, kjo shifër do të ndryshojë deri në 55%. 

E re në treguesit e sondazheve të fundit, është përgjigja për pyetjen se "kush është më i përshtatshëm për kryeministër, mes Evangelos Venizelos të PASOK dhe Antonis Samaras të ND?". Venizelos ka fituar përparësi ndaj rivalit të tij duke marrë 26,7% të mbështetjes, ndërsa Samaras ka 25,8%.

Shpërndarja e mbështetjes për 10 partitë që kalojnë pragun e hyrjes në Parlament është:
Demokracia e Re 25.5%, PASOK 19.1%, partia komuniste (KKE) 10.6%, SYRIZA 9.1%, Grekët e Pavarur 7.7%, E Majta Demokratike 5,4%, Chrysi Avgi 5.2%, LAOS 4%, Aleanca Demokratike 3.8%, Ekologët e Gjelbër 3.6%.

Ajo që vazhdon të shqetësojë që në krye të herës mediat, forcat politike dhe opinionin në përgjithësi, është prania e ekstremistëve të djathtë të Agimit të Artë, të cilët vazhdojnë të rrisin mbështetjen. Ndërkohë që kjo forcë është regjistruar tashmë mes 36 partive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Greqi. 

Partitë ekstremiste, të cilat dalin hapur kundër masave financiare, FMN-së dhe gjithë huadhënësve të Greqisë vazhdojnë të fitojnë terren, sepse ndërsa zgjedhjet po afrohen me orë, formimi i një qeverie të koalicionit duket ende i vështirë në Greqi. Samaras i cili ka shumicën, para elektoratit të lodhur e të shkatërruar nga masat premton se "Greqia do t'ia dalë" dhe me gjysmë zëri shprehet për konsolidimin e mëtejshëm fiskal, kur dihet se reformat janë kusht për qëndrimin e vendit në euro. Një shmangie sado e vogël nga kursi i nisur, nuk do pranohet nga huadhënësit dhe pa paratë e tyre Greqia, nuk ka asnjë mundësi tjetër veçse të lërë euron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›