Greqi: Nis greva 48-orëshe kundër qeverisë
Një numër i madh punonjësish të sektorit publik në Greqi ka nisur dje një grevë kombëtare 48-orëshe, që është edhe prova e parë për qeverinë e Papandreut në lidhje me aftësinë e saj për të çuar deri në fund masat e marra për shkurtimet e shpenzimeve. Këto masa do të merren në këmbim të paketës së ndihmës financiare që pritet t’i jepet Greqisë për të shpëtuar nga falimentimi. Ministritë, zyrat e taksave, shkollat, spitalet dhe shërbimet publike, kanë qenë të gjitha të mbyllura dje dhe ndërkohë kjo situatë është shoqëruar me një protestë të punonjësve civilë para Parlamentit. Greva është organizuar nga sindikata më e madhe dhe më e fuqishme e punonjësve të sektorit publik në vend. “Ne duam që t’i jepet fund rënies me kokëposhtë të standardit tonë të të jetuarit. Këto do të jenë ndër protestat më të mëdha dhe më masive që ka parë vendi gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit”, ka deklaruar kryetari i sindikatës më të madhe, “Adedy”, që përfaqëson mbi 500 mijë punonjës. Ndërkaq, punonjësit e sektorit privat do të organizohen gjatë ditës së sotme, që do të shënojë edhe grevën e tretë të përbashkët të të dy sektorëve që nga fillimi i këtij viti, kur nisën edhe shqetësimet e para për Greqinë dhe situatën e saj financiare. Për sa i përket sektorit privat, bëhet fjalë për disa kompani private që kanë anuluar fluturimet si shenjë të parë të grevës. Në grumbullimin e njerëzve në qendër të Athinës kanë marrë pjesë edhe komunistët, të cilët u kanë bërë thirrje gjithë europianëve që të çohen për padrejtësitë financiare që po ndodhin. Edhe pse demonstrimet e deritanishme krahasuar me ato të fundvitit 2008 janë disi më të zbehta, pritet që në ditët në vijim situata të bëhet më e vështirë për shkak të masave të fundit shtrënguese të vendosura nga qeveria, që sipas punonjësve do ta rrënojnë standardin e jetesës së grekut të mesëm dhe sigurisht do të rëndojë jashtë mase edhe jetesën për grekun e varfër. Kjo, sepse këto masa mbi të gjitha parashikojnë një ulje të rrogave dhe pensioneve, rritje të moshës së daljes në pension dhe rritje të disa taksave të mjeteve të konsumit. Sipas një sondazhi të publikuar pak ditë më parë, del se dy të tretat e grekëve janë të gatshëm që të dalin në rrugë për të kundërshtuar masat shtrënguese dhe shtypi grek ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me këto masa dhe faktin se barra e këtyre shkurtimeve në shpenzime do të bjerë mbi supet e punëtorëve dhe pensionistëve, të cilët vihen para detyrimit për të paguar një çmim shumë të shtrenjtë për mëkatet e zyrtarëve të korruptuar. Sipas gazetës “Elefterotipia”, do të duhet shumë punë për t’i bindur njerëzit që fatura duhet të paguhet nga ata për mëkatet e të tjerëve. Sipas planit të qeverisë, edhe pagat e sektorit publik do të pësojnë një ngritje deri në vitin 2013 dhe nuk do të ketë për punonjësit publikë bonuse pushimesh. Edhe ndihma dhe pagesa të tjera do të reduktohen ndjeshëm dhe bëhet fjalë për një masë të dytë, pas asaj të marrë në muajin mars. Gjithashtu edhe pensionit do të rishikohen dhe rillogariten mbi të tjera baza. Kjo situatë në Greqi vazhdon që të krijojë kaos dhe pasiguri në tregjet e huaja financiare.
#