E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihapet në Itali procesi Kokaina

Prokuroria e Barit dërgon dosjen. Sokol Koçiu dhe Arben Përballa do të njihen me aktakuzën nga Gjykata e Tiranës

Trembëdhjetë vjet nga fillimi i një aventure për ta kthyer Shqipërinë në “Kolumbinë e Europës”, drejtësia italiane ka përfunduar hetimet për të ashtuquajturën procesi “Kokaina” dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Nën akuzë janë vënë edhe dy shtetas shqiptarë, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, të dënuar nga drejtësia shqiptare, ndërsa tashmë ndodhen të lirë, për shkak të përfundimit të masës së dënimit. Prokuroria e qytetit të Barit në Itali u ka komunikuar të pandehurve akuzat e trafikut të narkotikëve dhe të organizatës kriminale, ndërsa në aktakuzë ndodhen edhe Koçiu e Përballa, të dënuar më parë për këto akuza në vendin tonë. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës thanë se prokuroria ka kërkuar ekzekutimin e letër-porosisë së Prokurorisë së Barit. çështja është regjistruar në gjykatën e kryeqytetit pesë ditë më parë, ndërsa gjatë kësaj kohe është hedhur edhe shorti për të përcaktuar trupin gjykues. Nga shorti ka rezultuar se gjyqtari Gerd Hoxha do t’i komunikojë aktakuzën Arben Përballës dhe Sokol Koçiut, e ngritur nga Prokuroria e Barit në Itali. Sipas togave të zeza, letërporosia e ardhur nga Italia përmbante të gjitha faktet e akuzës kundrejt dy shtetasve shqiptarë, madje edhe përgjimet dhe hetimet disavjeçare për këta persona.

Hetimi në Itali

Ndryshe nga drejtësia shqiptare, e cila kreu hetimet në kohë rekord dhe përgjatë 14 muajve, nga muaji shkurt i vitit 2002 kur dosja u dërgua në gjykatë dhe deri në muajin prill 2003 kur Gjykata e Tiranës dha dënimin për gjashtë të pandehurit, shteti italian ka kryer një hetim të plotë dhe i janë dashur plot 10 vjet hetime. Objekti i aktakuzës është i njëjtë dhe veprat penale, për të cilat duhet të përgjigjen të pandehurit, janë trafiku i lëndëve narkotike, krijimi i organizatës kriminale dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare. Prokuroria e Barit pretendon se një pjesë e mirë e tentativës për të realizuar aktivitetin kriminal ka ndodhur në tokën italiane dhe si e tillë personat përgjegjës, përfshi këtu edhe Arben Përballën dhe Sokol Koçiun, duhet të gjykohen për këto akuza. Megjithatë, duke dashur të kryejë një proces të ligjshëm, Prokuroria e Barit ka nisur në drejtim të Shqipërisë të gjithë aktakuzën dhe provat e mbledhura përgjatë 10 viteve. Dosja voluminoze është protokolluar fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo e fundit ka njoftuar Prokurorinë e Tiranës, duke u përfaqësuar në gjykatë për ekzekutimin e letërporosisë. Burime nga Gjykata e Tiranës thanë se këto ditë do të caktohet edhe data e fillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe personat e akuzuar nga shteti italian, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, do të thirren për t’u njohur me materialet italiane.

Procesi “Kokaina”

Gjashtë persona janë dënuar në Shqipëri nga e ashtuquajtura procesi “Kokaina”. Organizata tentoi të investonte 10 milionë dollarë për të furnizuar tregun europian nëpërmjet Shqipërisë, me anë të një flote anijesh, aeroanijesh, skafesh e avionësh. Historia e grupit të mirorganizuar zgjati plot katër vjet, duke filluar nga ardhja e shqiptaro-amerikanëve pas trazirave të vitit 1997 dhe për të përfunduar në fund të vitit 2000 me arrestimin e gjashtë personave. Personat që tentuan të trafikonin mijëra kilogramë kokainë arritën të ngrinin disa shoqëri fantazmë, ndërsa kishin lidhje me bosët kolumbianë të drogës. Sipas hetimeve dhe vendimit të gjykatës, nëse ky rrjet do të realizonte trafikun, atëherë do të kryente një xhiro prej 400 milionë dollarësh, ku do të investoheshin edhe në rangjet më të larta të administratës shtetërore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›