E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Samaras e Venizelos flasin për zgjedhjet

ATHINE - Pas komunikimit të datës së zgjedhjeve, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras deklaroi se populli grek ka fuqinë për t’i ndryshuar të gjitha dhe se Greqia do t’ia arrijë të dalë nga kriza. Samaras theksoi se tani po hapet një faqe e re për vendin. “Populli në tetor 2009, votoi duke iu besuar premtimeve boshe. Dhe këtë e pagoi shtrenjtë, por sot është më i mençur”, tha Samaras, duke theksuar se Greqia ndodhet në situatën më të keqe që është gjendur ndonjëherë në kohë paqeje. 

Sipas kreut të ND, me zgjedhjet populli grek do të ketë shansin për të vendosur për të ardhmen e tij dhe kërkoi nga qytetarët të jenë të kujdesshëm, pasi, sic tha, disa do të përpiqen t’i bindin se gjithçka që u bë deri më tani ishte për të mirën e tyre. “Mos iu besoni”, këshilloi Samaras, duke ndërmarrë një sulm kundër ish kryeministrit Jorgos Papandreu dhe ish ministrit Evangelos Venizelos. 

Nga ana e tij kreu i PASOK, Evangelos Venizelos tha se “Greqia e fuqishme” është një parullë mobilizimi për rilindjen e vendit dhe një kushtrim për të ndryshuar raportet brenda Europës, theksoi kryetari i PASOK-ut. “Vazhdimi i natyrshëm i PASOK-ut është që të ndryshojë rrënjësisht vetë partia, duke pranuar gabimet”, tha ai. 

Venizelos ka shprehur vlerësimin se pas zgjedhjeve nuk do të rezultojë qeveri maxhoritare dhe se “asnjë parti nuk mund të ngrejë e vetme barrën e krizës”. Ai shtoi se deklaratat e Samaras “maxhorancë apo sërish zgjedhje”, tingëllon si një kërcënim. Venizelos tha se ai vetë pretendon postin e kryeministrit dhe fitoren e PASOK-ut në zgjedhje, sepse lideri i partisë fituese merr edhe mandatin për krijimin e qeverisë. “Shpresoj se do të ketë dhe forcë tjetër politike që do të mund të diskutojë me PASOK-un, por kjo është një pyetje që duhet t’i përgjigjen edhe parti të tjera”, shtoi Venizelos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›