E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërimi elektronik, LSI: Nuk ka kohë, mund të dëmtohet procesi

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se koha për realizimin e numërimit elektronik është e pamjaftueshme, duke shprehur njëkohësisht skepticizëm për procesin e ardhshëm zgjedhor.
Në një konferencë për shtyp, sekretari i LSI-së për çështjet zgjedhore Ylli Manjani deklaroi se numërimi elektronik shihet me shqetësim, në kushtet që gjendet përgatitja e zgjedhjeve të ardhshme, pasi mund të shndërrohet në një shkak për prishjen e procesit zgjedhor në shkallë vendi.

“Ne vlerësojmë se nga çasti kur të ketë përfunduar reforma zgjedhore do të ngelen shumë pak kohë në dispozicion të strukturës zgjedhore për të filluar përgatitjet për numërimin elektronik në shkallë vendi. Në procesin e përgatitjes për të realizuar numërimin elektronik në shkallë vendi, nevojiten të kryhen edhe disa hapa proceduralë të domosdoshëm siç janë kryerja e një studimi fizibiliteti, vendosja e standardeve të makinave që do përdoren, kryerja e procedurave të prokurimit, gjetja e mjediseve të përshtatshme për përdorimin e tyre, ngritja e komisioneve dhe e ekipeve që do ti përdorin, trajnimi I tyre, hartimi I manualeve të përdorimit etj. Të gjitha këto kërkojnë kohë e cila nuk është e mjaftueshme.”- deklaroi Manjani.

Në të tilla kushte, LSI-ja i propozon KQZ-së marrjen e 2 masave,: Të përdorë në mënyrë pilot procedurën e numërimit elektronik dhe shtimin e numrit të KZAZ-ve
“KQZ të përdorë në mënyrë pilot procedurën e numërimit të votave, për ti dhënë mundësi strukturës zgjedhorë të përshtatet më mirë me këtë risi dhe për ta shtrirë përdorimit e kësaj teknologjie në zgjedhjet e mëpasshme. Kjo do të shmangte edhe dëmtimin e mundshëm të procesit në shkallë vendi. Risitë teknologjike duan kohën e nevojshme për tu përdorur. Ideja e pilotimit është sugjeruar nga të gjithë ekspertët e huaj që njohin realitetin në Shqipëri. Të shtojë numrin e KZAZ-ve, duke ulur numrin e votave për tu numëruar në ato ZAZ që kanë mbingarkesë dhe duke shpejtuar kështu nxjerrjen e rezultatit. Marrja e këtyre masave besojmë se e zgjidh teknikisht edhe shqetësimin e nxjerrjes së shpejt ë të rezultatit, dëshirën për të përdorë teknologjinë në këtë proces, por edhe shqetësimin që të mos dëmtohet procesi zgjedhor.”- përfundoi Manjani.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›