E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi Simitis mbron politikat monetare

Ish-kryeministri socialist i Greqisë (1996-2004), Kostas Simitis, ka mbrojtur me zjarr politikën që kishte si rezultat përfshirjen e Greqisë në Bashkimin Monetar Europian (EMU) dhe të kritereve që u zbatuan për anëtarësimin. "Pretendimi se Greqia e arriti futjen në EMU pa përmbushur kushtet, nuk i përgjigjet realitetit", ka shtuar Simitis.
Duke folur mbi përzgjedhjet e qeverisë greke dhe Europën, me qëllim përballimin e krizës, Simitis i cilësoi si "jashtë realitetit" kushtet që u caktuan për përmirësimin e situatës ekonomiko-financiare të Greqisë dhe se u bë "një gabim fatal" që "hartuesit e memorandumit kishin neglizhuar t'i ndërlidhnin objektivat me zhvillimet reale, domethënë, me recesionin". Sipas ish-kryeministrit, qeveria duhej të kishte negociuar më shumë, të kishte paraqitur propozimet e veta dhe të nënshkruante vetëm nëse kishte garantuar premisat se do të sigurohej zhvillimi ekonomik. Simitis vërejti se nga dy palët kontraktuese, Greqia ishte më e dobët, pasi ajo kishte borxhin dhe nuk dispononte ekspertët e nevojshëm që do të bënin vlerësimin e saktë të pasojave; ndërsa Bashkimi Europian ishte pala e fuqishme.
Simitis kundërshtoi edhe teorinë sipas të cilës shpërdorimet e ekzagjeruara ishin shkaku i vetëm i borxhit dhe nënvizoi diferencat në zhvillim midis Veriut dhe Jugut të Europës, çka sipas tij Europa ende nuk e ka menaxhuar në mënyrë efiçente.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›