E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ekonomia po hyn në recension

Ekonomia e vendit fqinj Greqisë ka hyrë në recension. Kjo bëhet e ditur nga ekspertët pas publikimit të shifrave për ritmet e zhvillimit ekonomik, që kanë rënë nën zero për këtë vit.
Sipas analistëve, shkaqet e rënies ekonomike gjenden në uljen e ndjeshme të investimeve dhe të eksporteve. Përballë kësaj gjendjeje, qeveria pritet të disponojë dy miliardë euro, si garanci për institucionet bankare që do të kreditojnë bizneset.
Parashikimet optimiste të qeveritarëve grekë, se vendi do të kishte pasojat më minimale të mundshme nga kriza ekonomike, tashmë kanë rënë poshtë. Shërbimi Statistikor Kombëtar publikoi shifrat për nivelin e ritmit të zhvillimit ekonomik, që në tremujorin e dytë të këtij viti, ra në minus 0,2 përqind, nga plus 3,4 përqind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa bilanci pritet të jetë edhe më negativ në fund të muajit, kur do të publikohen të dhëna më të detajuara. Sipas mediave greke, zyrtarë të ministrisë së ekonomisë kanë deklaruar se ky vit është një vit recesioni dhe se shpresojnë për një rezultat pozitiv nga viti i ardhshëm. Por zyrtarët nuk pajtohen me parashikimet e zymta të Komisionit Europian apo të fondit Monetar ndërkombëtar, që thonë se ritmi i zhvillimit do të ketë një rënie nga minus 0,9 në minus 1,7 përqind. Sipas ekspertëve të Shërbimit Statistikor Kombëtar, shkaqet e ritmeve të ulta burojnë në rënien e konsiderueshëm të investimeve dhe pakësimin e eksporteve.
Situata e përkeqësuar ekonomike ka ndikuar edhe në rritjen e papunësisë. Brenda një viti listës së të papunëve iu shtuan rreth 96 mijë persona, në kohën që konfederata e përgjithshme sindikale ka paralajmëruar se deri në muajt e parë të vitit të ardhshëm, papunësia do të mund të prekë 10% të popullsisë aktive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›