E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borgjezët e rinj do blenë tokën me çmimin e tregut

13/08/2009  Ligj i veçantë për statusin e fshatrave turistike

Të gjitha fshatrat turistike të ngritura në Shqipëri do të privatizohen duke respektuar të gjitha normat dhe kriteret që do të përcaktohen në një ligj të veçantë. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar ditën e djeshme në mbledhjen e qeverisë se së shpejti Këshilli i Ministrave do të miratojë projektligjin për privatizimin e fshatrave turistike. Ai ka nënvizuar se ligji do të jetë tërësisht për privatizimin dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me procesin e legalizimeve, pasi janë dy procese krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Duke prezantuar këtë iniciativë të re ligjore në mbledhjen e qeverisë, kreu i qeverisë sqaroi se ata që kanë ndërtuar vila në fshatrat turistike do të blejnë tokën me çmimin e tregut, fonde të cilat do të përdoren për pronarët. Kryeministri Berisha deklaroi se në Shqipëri tashmë është krijuar shtresa e borgjezisë dhe të gjithë ata që janë pjesë e saj duhet t’i nënshtrohen ligjit dhe të blejnë tokën në të cilën kanë ndërtuar vilat e tyre të pushimit. “Unë do të kërkoja që në mbledhjen e ardhshme të konkludohen disa probleme të rëndësishme, për të cilat është punuar nga ministritë e linjës. Së pari, ligji për privatizimin, pasi nuk mund të bëjmë fjalë për legalizim të fshatrave turistike. Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët. Në këtë mënyrë, ata do t’i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të fundjavëve”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Berisha kujtoi se statusi i fshatrave turistike ka qenë një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani duhet t’i jepet një përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm. Ai ka theksuar se përmes këtij ligji të kënaqur duhet të mbeten të dyja palët, si pronarët e tokave mbi të cilat janë ndërtuar vilat apo fshatrat turistike, ashtu dhe biznesmenët apo “borgjezët”, siç parapëlqeu ai t’i quajë pronarët e këtyre vilave. Kryeministri Berisha theksoi se të gjitha paratë që do të mblidhen nga procesi i privatizimit do të shkojnë në favor të pronarëve. “Të gjendet një linjë që të kënaqë si ata që i posedojnë shtëpitë, ashtu dhe pronarë, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët. Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi realisht kemi të bëjmë me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që në fakt nuk ka ndër mend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj”, - deklaroi shefi i ekzekutivit.

Ligji

Pritet që shumë shpejt në tavolinën e punës së qeverisë të mbërrijë një projektligj i ri, i cili do të synojë zgjidhjen e statusit të fshatrave turistike. Sipas shefit të ekzekutivit, ligji do të jetë tërësisht për privatizimin dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me procesin e legalizimeve, pasi janë dy procese krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. “Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi realisht kemi të bëjmë me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që në fakt nuk ka ndër mend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj”, - tha Berisha

Pronarët

Kreu i qeverisë ka theksuar se privatizimi i fshatrave turistike do të përpilohet në mënyrë të tillë që të mbeten të kënaqur si ata që kanë blerë vilat në këto fshatra, ashtu dhe pronarët. Berisha theksoi se toka mbi të cilën janë ndërtuar fshatrat do të blihet me çmimin e tregut. “Borgjezia e re duhet në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën ku janë ndërtuar vilat e tyre në fshatrat turistike”, - theksoi Kryeministri Berisha. Ai bëri me dije se të gjitha fondet që do të mblidhen nga privatizimi i tyre do të kalojnë për llogari të pronarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›